Flutura Kusari, juriste e së drejtës së mediave, që nga mbrëmë u bë cak i qindra komenteve ofenduese, bullizuese e seksiste, nxitur kjo nga një koment që analisti që njihet si përkrahës i pushtetit, Rron Gjinovci, bëri në rrjetin e tij social Facebook.
Gjinovci postoi një fotografi të Kusarit nga një paraqitje e saj KTV, ku ajo po fliste për kushtet e rënda e të pasigurta në të cilat po raportojnë gazetarët në veri duke kërkuar edhe nga shteti që të ndërhyjë në mbrojtje të gazetarëve. Por kjo kjo nuk i bëri përshtypje Gjinovcit i cili zgjodhi të merrej me pamjen e saj, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Çfarë frizure”, shkroi ai teksa postoi edhe një foto të Kusarit nga emisioni televiziv në fjalë, duke nxitur një “mal” me komente.
Reagimet që pasuan ishin të shumta. Gjuhën e papranueshme të Gjinovcit fillimisht e denoncoi gazetari Berat Buzhala, i cili bëri të ditur se me këtë veprim merr fund çdo marrëdhënie që ai kishte me Gjinovcin. Buzhala njoftoi se i ka bërë “block” Gjinovcit, teksa u shpreh i habitur se si një pjesëtar i shoqërisë civile mund të përdorë një gjuhë të tillë, duke nxitur edhe qindra komente seksiste, mizogjeniste, shpifese, ofenduese dhe kërcënuese.
“Qysh eshte e mundun nje pjestar i shoqerise civile, nje njeri qe pretendon qe eshte i kulturuar dhe civilizuar me e pase kete postim? Jane 80 komente perfundi, te te 80’tat seksiste, mizogjeniste, shpifese, ofenduese dhe kercenuese. Fluturen ma shume e kam kundershtare, se sa mikeshe. Cdo dite me kritikon, ma ndale telefonin, m’shane (privatisht), mirepo une vazhdoj me e pa si njeriun ma kredibil per gazetarine ne Kosove dhe rajon. Flutura eshte autoriteti ma i nalte i Kosoves, ne fushen e mediave, ne Evrope. Me e linçu ne kete forme? Me i hape komentet e egeresirave per nje gru, nane, bashkeshorte, profesioniste, vec pse ty te shkon ne nerva? E papranueshme. Unfriend. Block”, shkroi Buzhala ndër të tjera.
E Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha në reagimin e tij tha se Flutura Kusari është mbështetja më e madhe e gazetarëve dhe AGK-së për më shumë se një dekadë, si edhe zëri e përkrahja e fuqishme dhe e parreshtur e shumë grupeve tjera të shoqërisë në Kosovë.
“Kontributi i saj brenda dhe jashtë vendit, është i pamatshëm, dhe këtë nuk e ndryshon askush dhe asgjë”, shkroi ai ndër të tjera.
Gazetari dhe autori i emisionit “Pressing”, Leonard Kërçuki tha se Flutura Kusari ka filluar t’u pengojë mbështetësve të qeverisë më shumë se vetë mediat.
Kërquki tha se me kompetencë Kusari i “mban në xhep të vogël” krejt, siç tha ai të ashtuquajturën shoqëri civile, me faktin se nuk e ka pasur asnjëherë asnjë njollë në karrierën e saj.
“Flutura Kusari ka fillu me ju pengu mbeshtetesve te Qeverise ma shume se vete mediat. Arsyeja eshte e thjeshte; i mban ne xhep te vogel me kompetence krejt te ashtuquajturen shoqeri civile dhe s’e ka asnje njolle ne karrieren e saj”, shkroi Kërquki.
E gazetari dhe autori i “Rubikonit”, Adriatik Kelmendi e quajti Kusarin një nga gratë më të afta në Kosovë.
“Dy presidente i ka pasur deri tash Kosova. Flutura Kusari e meriton të jetë e treta. E kompletuar në çdo aspekt. Lum shoqëria jonë që e kemi!” shkroi ai.
Kryeredaktori i Gazetës Online Reporteri.net, Mentor Gjergjaj referuar edhe zhvillimeve të fundit dhe gjahun e pushtetit ndaj mediave kritike, tha se “Flutura, gazetarët, mediat nuk frikësohen, nuk heshtën e as nuk ndalen”.
Gjergjaj tha se “shoqëria jonë nuk e duron terrin, tendencat autoritare e regjimet autokrate që po synohen te instalohen”.
“Sulmet e linçimet e njëpasnjëshme te fallangave para-terroriste ndaj lirisë dhe kritikës dëshmojnë se ata veç janë në panik. Se kjo shoqëri nuk duron terrin, tendencat autoritare e regjimet autokrate qe po synohen te instalohen. Kot e keni”, shkroi ai.
Kryeredaktorja e Periskopit, Dafina Demaku tha se Rron Gjinovci edhe publikisht bën thirrje si aktivist i shoqërisë civile me u mshelë mediat, ndërkaq Flutura si aktiviste lufton për të drejtën e mediave dhe ka mijëra angazhime konkrete për këtë.
“Rroni edhe publikisht bën thirrje si aktivist i shoqërisë civile me u mshelë mediat (…sic! “me iu mshelë si Erdogani”), ndërkaq Flutura si aktiviste lufton për të drejtën e mediave dhe ka mijëra angazhime konkrete për këtë”, shkroi ndër të tjera ajo.
E për gazetaren Saranda Rama, në pozitë të Flutura Kusarit gjinden edhe shumë gra tjera në Kosovë, të cilat siç tha ajo shpesh refuzojnë me qenë pjese e emisioneve në media për shkak qe publiku më shumë i komenton për pamjen se për atë çka deklarojnë.
Ajo tha se komentet e tilla janë plotësisht të pavend, si dhe frikësojnë gratë e tjera që të jenë pjesë e diskutimeve në publik.
“Grate ne media gjykohen per peshen, veshjen, floket, jeten personale… E kam provuar vet dhe e kam pare kete gjykim edhe tek shume gra kolege. Gjykimi per pamjen e Flutura Kusari eshte plotesisht i pavend e qe si pasoje ka ndalimin e grave te tjera ne paraqitje publike. Eshte e rendesishme qe na me pa cdo dite gra ne media. Me devijime te hundes, me floke jo krejt te rregullta, me mbipeshe ose nenpeshe, me fustana firmato ose veshje te rendomta – nuk ka rendesi. Mjafton qe te flasin me kompetence. Fluturen nuk ka njeri ne Kosove qe e bullizon”, shkroi ndër të tjera ajo.
Edhe gazetarja Ardiana Thaçi se cilësoi Flutura Kusarin si një nga gratë më të zonja në Kosovë.
“Sikur pushteti ta kishte vec nje si Flutura Kusari, nuk i kishin bere gjithe keto gabime e se kishin shkaktu gjithe kete katrahur”, shkroi ajo.
Një zemër të madhe e cilësoi gazetari dhe autori i emisionit Frontal, Arsim Lani.
Si një nga profesionistet më të mëdha në fushën e saj, e cilësoi edhe gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Arta Avdiu. Ajo tha se në pamundësi të argumenteve, burrat patriarkal, u vërsulen grave duke u marrë me pamjen e tyre fizike.
“Flutura Kusari eshte nder profesionistet me te mira qe e njoh. Grua me integritet, etike te punes e arritje te medha nderkombetare. Normal qe servilet dhe militantet partiak, nuk e durojne nje person te tille. Ne pamundesi me argumentu, burrat patriarkal i versulen grave duke ua komentuar pamjen fizike. Nuk duhet te kete vend ne media per seksistet recidiviste. Lufta e jone per nje shoqeri te barabarte, pa burra patriarkal, eshte e gjate. Por fitorja eshte e sigurte”, shkroi ajo.
Në mbështetje të Kusarit, reagoi edhe deputetja Blerta Deliu. “T’i du flokët, sytë, mendjen e krejt çka ti përfaqëson – oj Flutura”, shkroi ajo.
Ndërkaq, Leonida Molliqaj nga organizata “QIKA”, ka thënë se komente të tilla seksiste nuk duhet të lejohen, derisa përmendi se ishte Gjinovci, i cili para disa ditësh e quajti “të çmendur” gazetaren Dafina Demaku.
“Gjuha dhe sjellja e Rron Gjinovcit në publik ka kohë që ka marrë për mbrapsht. Komentet fyese ndaj grave që guxojnë ta ngrisin zërin e të bëhen pjesë e jetës publike janë seksiste dhe nuk do t’i lejojmë.” – tha ajo.
Flutura Kusari, juriste e medias, njihet si një nga profesionistet më të kompetente në Kosovë në fushën e saj, që lufton vazhdimisht për të drejtën e medias dhe gazetarëve, sidomos tani në një kohë sfiduese për gazetarët në Kosovë. /Reporteri.net/