Për të dhjetën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e zgjatur më tej krizën institucionale që ka mbërthyer vendin.
Edhe në këtë seancë, zhvillimet nuk ndryshuan shumë nga ato të para 48 orëve. Lëvizja Vetëvendosje përsëriti përpjekjen për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, duke propozuar Hekuran Muratin si anëtar të tij.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK të paraqiste propozimin e vet, por kryetari Memli Krasniqi doli në foltore me një apel tjetër:
“Ju ftoj për përkundër presionit që keni nga partia që i takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos e bëni cirk këtë Kuvend”, i tha Krasniqi para se t’i ndërpritej fjala.
Dehari ia ndërpreu fjalën Krasniqit, ndërsa qëndrim refuzues pati edhe nga LDK-ja. Lista Serbe gjithashtu refuzoi të japë një kandidat, duke e thelluar edhe më shumë ngërçin.
“Ne nuk do të japim kandidat,” deklaroi Slavko Simiq nga Lista Serbe.
AAK, ndërkohë, nuk mori pjesë fare në votim. Kryetari i saj, Ramush Haradinaj, ndonëse ishte prezent në Kuvend, u largua nga salla pak minuta para nisjes së seancës. Ai la të kuptohet për një mundësi diskutimi rreth një kandidati unifikues, por asgjë konkrete nuk ndodhi.
Përkundër insistimit të PDK-së, përfaqësuar nga Abelard Tahiri, për të kaluar në fazën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, kryesuesi Dehari insistoi sërish në votimin për formimin e komisionit. Me vetëm 54 vota pro – të gjitha nga Vetëvendosje – seanca u ndërpre sërish për mungesë kuorumi.
“Duke qenë se s’ka kuorum, detyrohem ta ndërpres seancën…”, tha Avni Dehari.
Ajo do të vazhdojë të hënën, më 5 maj.
Ndërkaq, sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar si degradim të papranueshëm të funksionit të përfaqësimit dhe të vetë institucionit legjislativ.
Çitaku kritikoi veprimet e kryesuesit të seancës së fundit, Avni Deharit, duke theksuar se fjalimi i kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi – gjithashtu nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë – u ndërpre, ndërsa përfaqësuesi i Listës Serbe u lejua të flasë pa pengesë.
“Sinqerisht, për turp,” shkroi Çitaku.
Tutje, përmes një shkrimi në Facebook, Çitaku tha se për shumë deputetë të PDK-së, Kuvendi nuk është thjesht një ndërtesë apo sallë ku votohet dhe merret pagë në fund të muajit, por një vend ku janë marrë vendime historike për shtetin e Kosovës.
“Për mua, Kuvendi është vendi ku kam nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë. Është vendi ku kemi miratuar Kushtetutën, ku kemi themeluar Ushtrinë e Kosovës. Për shumë prej nesh, ai vend është emocion, përgjegjësi dhe nder,” ka thënë ajo.
Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LVV-ja i ka fituar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë, tri prej të cilave i takojnë kësaj të fundit dhe kjo ndarje e ulëseve në Parlament ia pamundëson secilës parti që të qeverisë e vetme.