Shkruan: Arton Hoxha
Në heshtjen e një mëngjesi të zakonshëm, ndërsa ecim drejt punës, shpesh kalojmë pranë një ndërtese te re e moderne, me fasada qe pasqyrojnë rrezet e para të diellit.
Ajo shkëlqen, eshtë perfekte në dukje …..por e zbrazët nga çdo kujtim. Ajo duket si e ardhmja, por në thelb eshtë e heshtur. Sepse aty ku dikur qendronte një shtëpi e vjetër me kujtime brezash, sot nuk ka më asnjë rrëfim për të treguar nga giyshërit tanë. Sot ngrihet një ndërtesë qe nuk flet sepse nuk ka çfarë të tregojë.
Qytetet tona garojnë kush do të bähet më “modern”, dhe kush e lë pas me shpejt të kaluarën. Eshtë si një garë e heshtur, kush e shemb më shpejt kujtesën, kush fshin më lehtë gjurmët e vetes. Po ndertojmë lartësi, por po humbim thellesi.
Shtëpite që dikur mbanin erën e bukës së nxehtë dhe zerin e fëmijëve, po zëvendësohen me struktura qe askush s’i quan shtëpi.
Sepse qyteti nuk eshtë thjesht një vend, eshtë një kujtesë e grumbulluar, një shpirt i ndërtuar me shtresa kohe. Çdo çati e perkulur, çdo dritare e lodhur, çdo prag që ka pritur këmbë të lodhura janë dokumente të heshtura të jetës.
Kur i zhdukim keto, nuk po modernizohemi, po bëhemi harresë.
Shumë vende te botës po kuptojnë se trashëgimia nuk eshtë vetëm çështje estetike apo muzeale. Eshtë çështje shpirti, edukimi dhe qëndrueshmërie. Në Berlin, për shembull, pjesë të Murit famëkeq janë ruajtur qellimisht, jo për të lavdëruar të kaluarën, por për të mos e harruar atë.
Nuk them se e vjetra nuk duhet të preket kurrë. Por prekja e saj kerkon kujdes dhe ndjeshmëri. Sepse një qytet pa kujtesë eshtë një vend pa rrënjë. Dhe një vend pa rrënjë eshtë i brishtë. Ai duhet të flasë. Dhe për te folur, duhet të kujtojë.
Duhet të kemi kujdes për historine, per atë që kemi trashëguar dhe kemi detyrë ta përcjellim. Eshtë mënyra se si vendosim të jetojmë me kujtimet të mira apo të dhimbshme qofshin. Sepse kur harrojmë gjithgka që kemi qenë, nuk ka si ta dimë ku po shkojmë.
Qyteti duhet të jetë një libër që lexohet me hapa, me frymë, me dashuri. Dhe ky libër nuk shkruhet duke fshirë faqe, por duke i kuptuar ato.
Duhet të jetë detyrë morale dhe institucionale ta mbrojmë, ta vlerësojmë dhe ta përcjellim te brezat e ardhshëm.
Sepse nëse qyteti hesht… kush do te kujtojë nesër?