Dy persona janë plagosur me armë zjarri të hënë pasdite në magjistralen Prishtinë-Gjilan.
Sipas Policisë së Kosovës, plagosja kishte ndodhur gjatë tentimit të grabitësve për t’i marrë paratë nga një automjet i një kompanie sigurimesh e cila po i transportonte.
Të lënduarit janë punëtorë të kompanisë “Besa Security”, të cilët po kryenin transportin.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:45 policia ka marrë informatën për një tentim grabitje të armatosur në rrugën magjistrale Prishtinë -Gjilan. Menjëherë pas informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave”, njoftoi Borovci.
Ndryhse, ai tha se të plagosurit janë dërguar për trajtim në QKUK.
“Për pasojë dy persona pjesë e kompanisë që po kryente transportin janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentativë, dhe të njëjtit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e të implikuarve”, tha Borovci.
Detaje të mëtutjeshme janë dhënë edhe nga kompania e sigurimeve “Besa Security”.
“Në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, afër Badovcit, disa plaçkitës kanë sulmuar kombin e Transportit të Parave të Gatshme me armë të kalibrit të rëndë dhe me kallashnikov. Dy punonjës të TPG-së, janë të plagosur. Të njëjtit, falë veturës të armatosur kundër kallashnikov, jelekëve antiplumb të veshur nga punonjësit tonë dhe më pas falë një veture të FSK-së që ka kaluar pas pak minutash dhe të cilët ia kanë dhënë ndihmën e parë të dy punonjësve, sipas informatave janë jashtë rrezikut për jetë. Gjithashtu, dy pjesëtarët e tjerë të ekipës janë shëndosh e mirë. Ndërsa, plaçkitësit nuk kanë arritur t’i marrin paratë”, thuhet në reagimin e tyre. /Telegrafi/