Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta, ka paralajmëruar se çështja e koalicioneve dhe e emërimit të drejtorëve komunal është çështje dite. Madje, duke iu referuar deklaratave të tija, ditët e vikendit pritet të jenë ditë të lidhjes së “kurorave”me partnerë, për ta bashkëqeverisë Gjilanin, ndërsa dita e marte, do të jetë ditë kur do të dihen edhe emrat e atyre që do të emërohen në krye të drejtorive komunale.
Përndryshe, Haziri ka përshëndetur të gjithë ata që votuan për ndryshimet statutare në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi tha se tani është hapur rruga e finalizimit të bisedimeve me subjektet politike, por edhe me shoqërinë civile dhe grupe tjera të interesit, për të krijuar partneritete për bashkëqeverisje dhe edhe emërimin e Bordit të ri të Drejtorëve.
Haziri ka thënë se ka pas takime me të gjithë për të parë interesimin e tyre dhe nevojën e riorganizimit të administratës, por tha se edhe përgjatë këtij vikendi do të vazhdojë kontaktet me të gjithë të interesuarit.
Ai edhe njëherë përsëriti se vazhdon të jetë ithtarë i një qeverisje gjithëpërfshirëse, por kësaj here ka përmendur edhe një kusht, e që sipas tij është respektimi i përfaqësimit gjinor nga subjektet politike që duan të bëhen partnerë me LDK-në.
Përndryshe, Luta duke thënë se është i hapur me të gjithë subjektet politike, nuk ka precizuar se deri në çfarë faze kanë arritur bisedimet për koalicione, por vetëm ka thënë se me disa subjekte si me AKR-në, KDTP-në, por edhe me partnerin e mandatit ë kaluar, AAK-në, në parim kanë treguar gatishmëri. Ai po ashtu ka vlerësuar bisedat edhe me NISMA-n, për të shtuar se mbetet i hapur për biseda edhe me subjektet tjera si PDK e Vetëvendosje.
Përndryshe, burimet e Portalit 2lONLINE, thonë se në bisedimet e deritanishme të përfaqësuesve të LDK-së, si parti fituese dhe të disa subjekteve tjera, “shtizat” janë duke u thyer rreth pozitës së nënkryetarit. Mësohet se edhe AAK edhe NISMA janë duke kërkuar këtë pozitë, madje edhe PDK-ja, që për dallim nga dy të parat, tani më është duke e qartësuar, dita ditës, rolin e saj opozitar, por në anën tjetër kreu i Komunës, vazhdon të deklarohet i prerë për këtë çështje, se nuk e jep këtë pozitë.
Edhe ashtu brenda vet LDK-së, janë shpërfaqë interesa për këtë pozitë, që pavarësisht prej emërimit të cilido në atë pozitë, vetvetiu do të krijojë “të pakënaqurit” brenda LDK-së dhe se krejt varet se si do të menaxhohet kjo.
Aktualisht dy emra më të përfolur për pozitën e nënkryetarit janë ai i Arbër Ismajlit dhe i Faton Bislimit, por se, po të pyesësh burimet brenda komunës dhe burimet brenda LDK-së, përgjigja më e shpeshtë që mund ta marrësh nga ta, është: “Lutës nuk i dihet!”, dhe se në momentin e fundit mund të vendos për dike krejtësisht tjetër. Mbetet të vije dita e martë, së paku ashtu siç ka deklaruar sot Haziri, për t’i parë se cilat janë emrat, të cilave iu ka besuar i pari i Komunës.