Kosova do të pranojë edhe 62,400 doza të vaksinës AstraZeneca të mërkurën, shkruan Gazeta Metro.
Kështu ka bërë të ditur UNICEF se nëpërmjet programit COVAX, Kosova do të pranojë kontigjentin e radhës me vaksinë AstraZeneca kundër COVID-19, pas 24 mijë dozave që Kosova i pranoi në shkurt.
Sipas të dhënave të UNICEF, për Kosovën janë alokuar 201,420 dozë të vaksinës, 72,000 janë porositur, ndërsa të mërkurën në Kosovë pritet të vijnë 62,400 dozë vaksinë.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione se kur do të furnizohet Kosova me këto 62 mijë e 400 vaksina, megjithëse pasi ato janë bërë gati, furnizimi mund të ndodh këtë javë.
Deri më tani, Kosova ka pranuar si donacion 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca dhe 4,680 dozë të Pfizer nga Bashkimi Evropian por nuk e ka blerë ose kontraktuar asnjë vaksinë.
Në fazën e dytë, sipas Planit të Imunizimit, grupi i synuar për marrjen e vaksinës kundër COVID-19 do të përbëjë 17% të popullsisë së përgjithshme dhe do t’i përfshijë grupmoshat 65-79, popullësinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.