Pas shpalljes së rezultateve për kandidatët e përzgjedhur për të gjitha pozitat si mësimdhënës në shkollat e komunës së Gjilanit të datës 12.01.2018, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri, ku përmes profilit të vet në “Facebook”, anulon konkursin me pretendimin se ka pasur tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe konfliktit të interesit në detyrë nga Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Drejtorisë për Arsim, z. Bardhyl Syla.
Shkruan: Xhelal Hajrullahu
U bënë tre muaj e gjysmë, rishpallet konkursi më 28.02.2018, e procedurat e rekrutimit për mësimdhënës ende nuk kanë filluar, e siç po shihet se nuk ka gatishmëri nga DKA për shpejtimin e procedurave, kur e dimi se nxënësit deri në përfundimin e periodës së tretë i kanë mbetur me pak se tre muaj, e në anën tjetër të gjithë ata mësimdhënës të përzgjedhur pas anulimit të konkursit vazhdojnë të jenë në marrëdhënie pune jashtëligjshëm.
Me qëllim që të rritet niveli i transparencës me rastin e punësimit të stafit udhëheqës, profesional e ndihmës në institucionet edukativo- arsimore e aftësuese, në mënyrë që sa më shumë që të jetë e mundur të minimizohet politizimi, familjarizmi dhe joprofesionalizmi në fushën e arsimit, për suksesin e treguar do e sjellim këtë modalitet të DKA në Prishtinë, me këtë kërkesë, Drejtuar: Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan të merr këtë Vendim për Transparencë në Arsim:
1. Në intervistë të ftohen kandidatët më të mirë që i plotësojnë kushtet formale sipas ligjeve dhe udhëzimeve administrative(UA) përkatëse, bazuar në procedurën e përzgjedhjes dhe kriteret e paraseleksionimit të përcaktuara nga DKA në bazë të ligjeve dhe UA përkatëse;
2.
2. Përveç Komisionit për Zgjedhjen e Personelit Arsimor, me rastin e intervistimit të kandidatëve të ftohen për pjesëmarrje në cilësinë e vëzhguesve edhe:
• Përfaqësuesit e Këshillit Drejtues të shkollës,
• Këshilli i Prindërve të shkollës
• Këshilli i Nxënësve të shkollës,
• Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që merren me çështjet e arsimit dhe të transparencës të institucioneve publike.
Nga ajo që kemi parë në konkursin e anuluar nuk janë përfillë këto kritere të plotësuara nga ana e kandidatëve:
• Përvoja e punës në arsim si mësimdhënës
• Numri i trajnimeve relevante të akredituara nga MASHT-lista prioritare nga DKA për Arsim
• Nota mesatare gjatë studimeve
• Licencimi i mësimdhënësve
Emërimet e mësimdhënësve nuk po bëhen mbi kritere profesionale, por mbi bazën e kontributeve politike dhe të njohjeve personale. Prandaj duhet që kjo të marrë fund. Të ngremë zërin që kjo të sanksionohet në ligj. Pra duhet të ketë kritere profesionale për emërimin e mësimdhënësve, të cilat duhet të jenë publike, por njëkohësisht duhet të ketë edhe sanksione për të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjin.
Vendosmëria e kryetarit në realizimin e objektivave të mëdha në arsim, dhe toleranca zero nga shkelësit e ligjit, mbetet për tu parë me krahasimin e rekrutimit që do tu bëhet mësimdhënësve.
Çelësi që mund të zgjidh këtë lëmsh të krijuar në arsim, bëhet përmes meritokracisë, etikës, depolitizimit, profesionalizmit dhe përgjegjësisë institucionale.
Autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje