Rritja e rasteve të vjedhjeve dhe grabitjeve në banesa e shtëpi, lokale e biznese të ndryshme e gjithandej në hapësirat publike, ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë publike.
Krime të tilla, kryesisht të organizuara në grup, po shkaktojnë humbje, por edhe pasiguri – sidomos në markete, ku punëtorët përballen jo rrallëherë me hajnat, raporton Gazeta Sinjali.
Këto ditë, përveç incidentit të djeshëm në Veternik, është raportuar një rast te marketi ‘Tina’ në rrugën “Rexhep Dajkovci” në Gjilan.
Siç merr vesh Sinjali, dy persona, të moshës së mitur janë futur në lokal në orët e pasdites dhe fillimisht kanë sulmuar një punëtore të marketit, duke e goditur me një shishe qelqi.
Pavarësisht tentativës, të dyshuarit nuk kanë arritur ta finalizojnë grabitjen, pasi janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Pas analizimit të provave dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, Policia ka arritur t’i arrestojë dy të miturit, me të kaluar kriminale.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të njëjtit, ndonëse njëri 15 vjeç e tjetri 16-vjeç, janë recidivistë të veprave të ndryshme penale.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.