Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka prezantuar raportin e hulumtimit për standardin e jetesës së personave të moshuar në Kosovë, si dhe ka shfaqur dokumentarin “Te jesh plak”, të prodhuar në bashkëpunim me Kohavisionin.
Florina Duli – Sefaj, drejtore ekzekutive e IKS-së, tha se e kanë parë të arsyeshme të realizojnë një hulumtim të tillë duke marrë parasysh se kjo grupmoshë e njerëzve në Kosovë janë të anashkaluar. Hulumtuesja Brikenë Hoxha prezantoi të dhënat e këtij hulumtimi, duke treguar se anketa është realizuar me 600 të moshuar. Ajo tregoi se prej të anketuarve, vetëm 4 për qind e tyre janë aktivë në tregun e punës, kurse vetëm 9 për qind kanë deklaruar se do të punonin nëse do t’u ofrohej një mundësi e tillë. Zëvendësministri i Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli tha se janë duke punuar në hartimin e koncept dokumentit për rregullimin e sistemit pensional, dhe se ky raport do të shërbejë për ndërmarrjen e hapave konkret në përmirësimin e gjendjes së moshuarve.
Ndërkaq sipas hulumtimit ka dal se një përqindje e madhe e personave të moshuar vlerësojnë se institucionet shtetërore nuk ia kanë dalë t’i përmbushin nevojat e tyre. 69% prej tyre kanë deklaruar se shteti ka dështuar në kujdesin për ta. 77 për qind e të moshuarve thonë se Shteti ka përgjegjësinë për të siguruar mbrojtje adekuate për të moshuarit, derisa vetëm 3 për qind e tyre nuk pajtohen me këtë. 88 për qind prej tyre, mendojnë se shoqëria duhet të jetë më aktive me punë vullnetare në ndihmë/përkrahje për ta, derisa 3 për qind thonë se nuk e dinë një gjë të tillë. Rreth 43 për qind e pleqve nuk merren me asnjë aktivitet, 19.8 prej tyre deklarohen se punojnë kopshtin, 12,7 për qind thonë se aktiviteti i tyre është ecja, ndërsa 7.7 për qind kalojnë ditën duke u kujdesur për nipërit e tyre. Shumica e të moshuarve apo 91 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale kundrejt 9 për qind të tyre që thonë jo. 99 për qind nuk kanë sigurim shëndetësor. 75 për qind e pleqve thonë se jetojnë në shtëpitë e bashkëshortit të tyre, 12 për qind të djalit, ndërsa vetëm 7 për qind e pleqve thonë se shtëpia ku jetojnë i takon bashkëshortes. Sidoqoftë, 63 për qind e të moshuarve kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për përkujdesje, kundrejt 35 % të atyre që u nevojitet një gjë e tillë. Derisa 79.8 thonë se përkujdesjen e marrin nga familja, 15,9 nga djali e 3.8 për qind nga infermieret. 16 për qind e të moshuarve thonë se janë burimi i vetëm i ardhurave të rregullta të tyre, 81 për qind thonë jo.
Të ardhurat e pensioneve sipas 64 për qind të moshuarve nuk u garantojnë as minimumin e mirëqenies sociale, kundrejt 2 për qind prej tyre që janë përgjigjur plotësisht.