Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19, do të mblidhet sërish nesër, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Kjo u bë e ditur nëpërmjet një njoftimi për media nga Ministria e Shëndetësisë.
“Nesër (e premte, 12 mars 2021) mbahet takimi i radhës i Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërkohë, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar tetë të vdekur dhe 632 raste të reja me COVID-19.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot është takuar me përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai ka deklaruar se nuk do të ketë vendosje të masave të reja anti-Covid.