Këtë të diel, të rinjtë e Gjilanit organizuan një aksion rrugor në kuadër të iniciativës vullnetare EcShlirë.
Gjatë aksionit rrugor, nëpër rrugët kryesore të Gjilanit u vendosën postera vetëdijësues mbi rëndësinë e hapësirave publike/trotuareve të cilat në vazhdimësi zaptohen nga veturat duke rrezikuar dhe vështirësuar kësisoj jetën dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Vullnetarët që një kohë të gjatë kanë vërejtur se çdo ditë e më shumë, lëvizja nëpër rrugët e Gjilanit po vështirësohet dhe në shenjë revolte vendosën goma të pashfrytëzueshme, të cilat u ngjyrosën dhe u mbushën me lule”, thonë organizatorët.
Sipas tyre, qëllimi i aksionit, përtej çlirimit të trotuareve ishte edhe largimi i gomave nga përdorimi dhe parandalimi i djegies së tyre nga qytetarët e rrjedhimisht ndotja e ajrit.
“Tani, disa nga rrugët e Gjilanit edhe do të duken më bukur dhe më të këndshme për qytetarët”.
Vullnetarët e kësaj iniciative shpresojnë që aksioni do arrijë të ngrisë vetëdijen e qytetarëve mbi problemet e lartpërmendura dhe që tash e tutje Komuna e Gjilanit do të ndërmarrë hapa konkret për sigurimin e hapësirave për parking dhe të sigurohet që trotuaret të shfrytëzohen vetëm nga këmbësorët.
Aksionet rrugore të natyrës së ngjashme do të vazhdojnë të organizohen edhe gjatë muajve në vijim.
Iniciativa EcShlirë u përkrah nga OJQ s`bunker.