Mbledhja e sotme e Qeverisë nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-zëvëndësministrit të diasporës, Arian Daci, i cili humbi jetën tragjikisht në Brezovicë më 26 janar.
Në po këtë mbledhje, ekzekutivi mori vendim që familjes Daci t’i ndahen 15 mijë euro nga rezervat e shtetit.
Kryeministri Ramush Haradinaj, shprehi ndër tjerash sot shqetësimin lidhur me gjendjen e sigurisë në zonën e Hasit. Ai tha se ka marrë vesh që atje janë shtuar krimet.
“Kam takuar një delegacion të Hasit, atje janë shtuar krimet pak, në zonën e Hasit, prej Prizrenit deri në Gjakovë, sulmet në familje nëpër shpija, në të kaluarën pos Gorozubës dhe Zhurit, stacion policor kish pas edhe në Has, ata e vlerësonin që krijimi i një nënstacioni në Gjonaj e ndryshon pak gjendjen, pasi ishte bërë gati e pajetueshme, pasiguria ishte rrit në shkallë të madhe në atë zonë”, tha ai.
Për këtë ai pyeti ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa, të cilit i kërkoi të merret me këtë çështje.
Zëvëndësiministri nga PDK-ja, Lirak Çelaj tha se duhet të marrin masa të mbrojnë fëmijët.
Ai tha se duhet kërkuar nga inspektorati të mos lejojnë fëmijët të shërbehen me pije alkoolike dhe ata që janë nën moshën 21 vjeç mos të lejohen të frekuentojnë vende të tilla.