Shkruan: Sylejman Ismajli
Në vitet e 90-ta, pushteti serb largoi sportistët nga objektet sportive, një vendim që solli shuarjen e sportit dhe talenteve në të gjitha disiplinat. Kjo periudhë ishte një nga më të errëta për sportin në Kosovë.
Megjithatë, dashamirët e sportit nuk qëndruan “duarkryq”. Ata, së bashku me shumë patriotë, sportistë, donatorë dhe vullnetarë, arritën të gjejnë zgjidhje minimale për të vazhduar aktivitetet e tyre sportive, edhe pse ishin nën mbikëqyrjen e rreptë policore serbe.
Në qytetin e Gjilanit, arena kryesore e sportit u bë fusha e vogël e futbollit pranë shkollës fillore “Selami Hallaqi”.
Kjo fushë u shndërrua në një qendër të rëndësishme ku zhvilloheshin turnire dhe gara të ndryshme sportive. Për shumë fëmijë dhe të rinj, kjo fushë ishte vendi ku ata gjenin kënaqësi dhe zhvillonin talentet e tyre sportive, pavarësisht nga vështirësitë dhe rreziku që përballonin nga forcat policore serbe.
Në këtë fushë, shumë talente të futbollit rikthyen lavdinë e sportit duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Përveç futbollistëve, edhe hendbollistët zhvilluan garat e tyre në këtë fushë. Ndërsa në sallën e shkollës “Selami Hallaqi” zhvilloheshin ndeshjet e basketbollit dhe volejbollit.
Këto gara, përveç që mblidhnin të rinjtë e Anamoravës, ishin një atraksion i madh për qytetarët e Gjilanit. Shpeshherë deri në 3000 shikues ndiqnin me interes të madh këto ndeshje, duke mbështetur sportistët dhe ekipet e tyre të preferuara. Edhe pse shumë herë ndeshjet ndërpriteshin nga forcat policore, aktivitetet sportive nuk u ndalën asnjëherë, duke dëshmuar shpirtin e pathyeshëm të sportistëve dhe qytetareve.
Tani, kjo fushë po merr një pamje të re dhe më moderne. Ajo po shtrohet me bari sintetik me dimensione 80×40, duke u bërë një vend ideal për zhvillimin e garave për kategoritë e reja, për veteranët dhe për turnire të ndryshme që do të organizohen në qytetin e Gjilanit. Ky rinovim profesional synon të krijojë kushte më të mira për sportistët dhe të rinjtë e qytetit, duke u ofruar atyre një hapësirë më të sigurt dhe më të përshtatshme për zhvillimin e talenteve të tyre.
Në shenjë të përkujtimit dhe të nderimit të kësaj fushe historike, është koha që Kuvendi Komunal të ndërtojë një pllakë përkujtimore.
Kjo pllakë përkujtimore do të jetë simbol i respektit, krenarisë dhe sakrificës së sportistëve që zhvilluan aktivitetet sportive në kushtet më të vështira për shumë vite. Ajo do të jetë një kujtesë e përhershme për qytetarët dhe brezat e ardhshëm se ky vend, në kohën kur ishim të pushtuar, ishte fole e sportistëve dhe vend i shpresës dhe qëndresës.
Ndërtimi i kësaj pllake përkujtimore do të shërbejë jo vetëm si një shenjë nderimi për të gjithë ata që kontribuan në mbajtjen gjallë të sportit në vitet e vështira të 90-ta, por edhe si një frymëzim për brezat e rinj që të vazhdojnë të zhvillojnë dhe të mbështesin sportin në qytetin e tyre.
Ajo do të tregojë se, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë, pasioni për sportin dhe vendosmëria për të arritur qëllimet mund të tejkalojnë çdo sfidë. Prandaj, është e domosdoshme që ky simbol i kujtesës historike të ngrihet sa më parë, për të nderuar të kaluarën dhe për të frymëzuar të ardhmen.