Sot është përvjetori i 24-të i Betejës së Zhegocit. 24 vjet më parë, më 15 prill 1999, në Zhegoc u zhvillua një betejë e pabarabartë në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut dhe ushtrisë e policisë pushtuese serbe.
Në këtë betejë të lavdishme ranë dëshmorë edhe Tefik e Hanumshahe Zymberi.
Bashkëshortët Zymberi janë nderuar me titullin ‘Hero i Kombit’ nga ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndërsa një shkollë në Pasjak të Artanës si dhe një shesh në Gjilan, mbajnë emrat e tyre.
Tefiku e Hanumshahja, si bashkëshortë, asnjëherë nuk janë ndarë, as në jetë, as në veprimtari, as në luftë e as në përjetësi.
Ata, më 15 prill 1999 ranë dëshmorë te Hanet e Zhegocit, ku derdhën së bashku gjakun e tyre për lirinë e Kosovës, fëmijëve të saj dhe për lirinë e Atdheut dhe Dielles, që u rritën me tregimin për heroizmin e prindërve të tyre.
Bashkë me ta ranë edhe dy intelektualë të kësaj ane, vëllezërit Ramadan Hyseni (ekonomist) e Shaban Hyseni (jurist). /Mediafokus/