Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Skenderaj, Sami Lushtaku, nuk do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës.
Burime të Gazetës Online “Reporteri.net” bëjnë të ditur se emri i Sami Lushtaku gjendet në listën të cilën Këshilli Gjyqësor i Kosovës ia ka kthyer KQZ-së, si person që ka probleme me ligjin.
Një gjë e tillë ia pamundëson Lushtakut kandidimin për të parin e Skenderajt, komunë të cilën e udhëhoqi për disa mandate.
Në një konferencë për medie në KQZ, zëdhënësi i saj Valmir Elezi nuk ka dhënë emrat e personave të cilëve ligji ua pamundëson garimin.
“Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kanidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit”, ka thënë Elezi.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka provuar të kontaktojë me vet Lushtaku dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së në këtë komunë, por ata nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë që Lushtaku ka pasur përplasje të vazhdueshme me Bekim Jasharin, kryetar aktual i Skenderajt rreth zgjedhjeve lokale në këtë komunë që llogaritet si bastion i PDK-së.
Kujtojmë, Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.
Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.
Dënimi i parë i marrë ndaj tij është bërë në prillin e vitit të kaluar ku u dënua me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”, ndërsa i fundit në tetor të vitit të kaluar për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.
Të dy këto vendime janë bërë të plotfuqishme pasi janë vërtetuar nga instancat më të larta. Për të parin ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e cila dënimin prej 12 mijë euro e konsideroj si të drejtë, përderisa dënimi i dytë prej 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit u vërtetua nga Gjykata e Apelit./Reporteri.net