Në vazhdim lexoni shkrimin që bën fjalë për njeriun e jashtëzakonshëm, gazetar e inovator i mrekullueshën, Sabit Zymberi. Shkrimi u botua me 28.07.2012, ndërsa ribotohet si in memoriam – pas ndarjes nga jeta të këtij njeriu shembullor.
Njerëzit si Sabit Zymberi shuhen vetëm fizikisht, por jetojnë përgjithmonë në kujtesën kombëtare, sepse ai bëri e la prapa veprimtarinë e tij shumëdimensionale në fushën e informimit.
TELEVIZORI I PARË SOLLI NË GJILAN LOJËRAT OLIMPIKE TË 1960-S
Sabit Zymberi tregon se duke qenë udhëheqës i radioklubit më të mirë në Kosovë, televizorin e markës “ORION” e kishte fituar dhuratë me të rinjtë aksionistë të Shkollës Normale të Prishtinës, në autostradën Beograd – Nish, me 1960, pasi në garën e organizuar në Leskoc, në mesin e 40-50 ekipeve nga e tërë Jugosllavia, ai me ekipin e tij kishte zënë vendin e parë. Ai tregon se nuk kishte program televiziv në Kosovë, kishin vetëm Beogradi dhe Zagrebi, ndërsa Maqedonia e kishte vendosur një repetitor në kodrën “Kreshta e Selanikut” në kufi me Greqinë, dhe prej aty vinin në Gjilan valët e programit italian. Ai thotë se në korrik – gusht 1960 u mbajtën lojërat olimpike botërore, ndërsa televizorin e kishte vendosur në terracën të objektit të Teknikës Popullore. Pasi qytetarët morën vesh për televizorin dhe lojërat olimpike, sheshi dhe rrugët pranë mbusheshin me njerëz sa nuk kishe as gjilpërën ku ta vëje.
1.
Sabit Zymberi, edhe pse ka kaluar moshën 78 vjeçare, ende ndihet vital, dhe çdo ditë del në zyrën e Shoqatës për Edukim Teknik në objektin e Teknikës Popullore, në pjesën më të vjetër të qytetit, dhe jo larg zyrës së kajmekamit (zyrës së kryetarit të Komunës).
Zyra e tij, ku ai kalon një pjesë të ditës, është e mbushur me pjesë të radiove të vjetra, të radiolidhjeve, ndërsa mban shikimin në televizorin e vendosur në një dollap të vjetër. Ai e ka sjellur televizorin e parë në Gjilan. Teksa shkëput copëza rrëfimi për ato vite të largëta, përmend entusiazmin e madh të qytetarëve të asaj kohe për të parë televizorin.
Ai tregon se si erdhi televizori i parë në Gjilan, si e solli atë dhe kush ia kishte dhuruar. Me profesion radioalidhës, ai thotë se “duke qenë radioklubi më i mirë në Kosovë, Këshilli Krahinor i Teknikës më përzgjodhi me shkue në autostradën Beograd – Nish, me 1960, dhe më dhanë një detyrë me punue me brigadistë, të cilët punonin në ngritjen e kampshtëpizave për strehimin e aksionistëve”. Zymberi aty ishte bërë udhëheqës teknik për kurse me brigadistë të rinisë, ndërsa tregon se aty i kishte ardhur prej Kosove një brigadë rinore e Shkollës Normale të Prishtinës.
2.
Thotë se e mban në mend një emër nga Normalja e Prishtinës, Halil Alidemaj, dhe “fillova punën me i aftësue të rinjtë në ngasje të biçikletës, me bë fotografi dhe radioaparat, të gjitha edhe me i montue”. Në fund të aksionit, tregon Zymberi, u organizua gara në Leskoc në mes 40-50 ekipeve nga e tërë Jugosllavia, dhe në manifestimin përfundimtar, dhe unë me ekipin tim e zura vendin e parë, falë brigadistëve të Normales së Prishtinës, ndërsa dhurata ishte një televizor, i cili m’u dha mua si përfaqësues i Teknikës Ppullore të Gjilanit.
Atij i kujtohet marka e televizorit. Ishte televizor “ORION”, dhe pasi e solla në Gjilan e vendosa në njërën nga zyrat e objektit të tashëm të Teknikës Popullore. Mirëpo, shpalos zhvillimet e kohës ai, televizori do të mbetej vetëm si suvenir, sikur në korrik-gusht të 1960-s të mos ishin lojërat olimpike që mbaheshin në Itali. “Nuk kishte program televiziv në Kosovë, kishin vetëm Beogradi dhe Zagrebi, ndërsa Maqedonia e kishte vendosur një repetitor në kodrën ‘Kreshta e Selanikut’ në kufi me Greqinë, dhe prej aty vinin në Gjilan valët e programit italian.
3.
Zymberi tregon se gjatë kohës sa u mbajtën lojërat olimpike botërore televizorin e kishte vendosur në tarracë të objektit të Teknikës Popullore, pasi qytetarët morën vesh për televizorin dhe lojërat olimpike, sheshi dhe rrugët pranë mbusheshin me njerëz sa nuk kishe as gjilpërën ku ta vëje. Program kishte vetëm në mbrëmje, dhe ishte kohë vere. Ishte i vetmi televizor në Gjilan, ndërsa, sipas Zymberit, i dyti që kishte blerë televizor në Gjilan ishte Halil Fejzullahu, i cili ishte fotoreporter.
Edhe Zymberi edhe Fejzullahu kishin bërë radiolidhjet që nga viti 1955, dhe, siç tregon Zymberi, lidheshin me tërë botën. Zymberi pa përtesë i këshillon të rinjtë në fushën e edukimit teknik. Detyra ime është edhe sot ngritja e kulturës teknike. Ai gjendet përditë në zyrë, dhe është më i rregullt se cilido shërbyes civil, thotë një miku i tij i vjetër, që e shoqëronte në zyrë. Ai thotë se nuk paguhet, por punën e bën në baza vullnetare. Ai ka një lidhje emocionale dhe shpirtërore me këtë objekt, në të cilin pa u ndalur asnjëherë del që nga viti 1960, ose rrafsh 52 vjet.
4.
Tregon se në kuadër të këtij objekti, ku u pa televizori dhe programi i parë televiziv, kanë punuar klubet e radioamatorëve, fotoamatorëve, aeronautikës, i automotos, Kryqi i Kuq, Bashkësia Lokale e qytetit, shoqata e gjuetarëve. Ky objekt ishte djegur në shkurt 1965, ku kishin mbetur vetëm muret e jashtme, ndërsa rindërtimi i tij me të njëjtën arkitekturë ka përfunduar me 1976.
Për të dëshmuar prirjen e tij në edukimin teknik dhe kujtesën ende të freskët, Zymberi nga Ballkoni, ku kishte hapur për të parën herë në Gjilan televizorin, sugjeron që fotoja për gazetë të bëhej nga pozicioni i hijes, pasi ishte ditë me diell. Ai nuk ndahet nga zyra e tij e punës, del në mëngjes dhe largohet vonë në orët e mbrëmjes. Nëse më mban shëndeti do të vazhdojë të punojë, se puna del mirë nëse e bën me vullnet dhe ke dashuri për të, shprehet ai.
5.
E shtëpia ku Sabit Zymberi vazhdon të jetë aty si dikur – i disiplinuar dhe me kulturë pune, që respekton orarin, është po ajo, me po të njëjtën arkitekturë, me pamje të fasaduar dhe me tarracën që kishte pasur dikur. Kjo shtëpi dykatëshe i rri bukur qytetit, është një histori, një kronikë e një kohe dhe një zhvillimi.
Ajo, shtëpia nga ku është parë herën e parë televizori në qytetin e Gjilanit, vazhdon të komunikojë me dy kohët, duke reflektuar edhe histori jo të largët, edhe bashkëkohësi, dhe dy realiteti të një vendi dhe të dy shekujve.