Zyrtarë policor kanë bërë me dije se në Gjilan, viktima, shqiptar shtetas i Kosovës, derisa ishte duke u kthyer me biçikletë për në shtëpi, në afërsi të shtëpisë së tij, është sulmuar fizikisht na persona të panjohur, që kanë tentuar t’ia marrin çantën e dorës me të hollat.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka bërë me dije se viktima kishte rezistuar. Të dyshuarit kishin shtënë nga arma e zjarrit, fatmirësisht viktima nuk është qëlluar. Të dyshimtit më pas kanë ikur me një veturë, Audi e zezë, me targë vendore. Të dyshuarit nuk kanë arrit të marrin të hollat nga çanta e viktimës.
“Policia e Kosovës njësitet e hetimeve rajonale së bashku me krim-teknikën kanë bërë procedimin e vendit të ngjarjes, janë kontaktuar dëshmitarë okularë të cilët kishin parë fqinjin e tyre duke u kacafytur me tre persona të panjohur dhe kishin dëgjuar dy krisma të armës së zjarrit”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij ,në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja, dhe një fishek i pa shkrepur, si dhe një predhë e armës -pistoletë.
Përndryshe, viktima pas tretmanit mjekësor në emergjencë, nga lëndimet e pësuara, besohet gjatë përleshjes me të dyshimtit, është liruar në shtëpi.
Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar.