Sot në orën 10:30, deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen për të 25-ën herë për të zgjedhur kryetarin e kuvendit dhe për të konstituuar legjislaturën e nëntë.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, insiston në kandidaturën e Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Kuvendit, ndonëse nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në asnjërën nga 24 tentativat e mëparshme.
Vetëvendosje insiston që votimi të zhvillohet në mënyrë të fshehtë – një kërkesë që ka hasur në kundërshtim të ashpër nga partitë tjera, të cilat kanë bojkotuar procesin, duke e konsideruar këtë procedurë në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe praktikën parlamentare.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, e vlerësoi së fundmi situatën “për keqardhje”, duke theksuar se problemet e tilla institucionale, historikisht, janë zgjidhur vetëm me ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar.
“E vetmja shpresë ka mbetë te Gjykata Kushtetuese, apo një ftesë tjetër e partive politike që ish dashtë me ndodhë nga presidentja. Më vjen keq prej qytetarëve, njerëzve, prej juve, nuk kemi mujt me ardhë te një zgjidhje. Kjo kallxon edhe për kohë më përpara, si duket neve na kanë nejtë gati veç qito ambasada e kështu se kurr këta politikanë, apo ne si politikanë, nuk kemi mujt me iu dhënë orientim momenteve politike asnjëherë, por veç na kanë nejt gati. Është me të ardhë keq, nihna keq si deputet mos me pas mundësi, afrimitet ose zotësi me u mbledhë njerëzit e delegum…” – ka thënë ai.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, shfaqi pesimizëm të hapur lidhur me mundësinë e tejkalimit të ngërçit institucional, duke theksuar se vetëm një vendim nga Gjykata Kushtetuese mund ta zgjidhë ngërçin.
“Nuk besoj që do të ndryshoj ndonjë gjë, nuk kemi njoftim as kryetarët e partive e as nga mjetet e rrugëve apo thashetheme të rrugëve. Besoj që është prapë e njëjta gjë, pa ardhë një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim ose do të ketë ndonjë ndryshim”, ka thënë Hasani.
Nga ana tjetër, deputeti i VV-së, Albin Kurti, akuzoi partitë e tjera për “patriarkalizëm” lidhur me refuzimin për të votuar Haxhiun si kryeparlamentare.
“…kjo situatë reflekton përballjen me struktura hierarkike, patriarkale, të prapambetura. Përderisa ne si Qeveri angazhohemi për ditë qe grave t’ju besohen pozita të ndryshme udhëheqëse, deputetët e opozitës nuk po e bëjnë këtë në Kuvend.” – tha ai.