Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava ka dhënë mesazhin për gjithë besimtarët e fesë islame.
Tërnava ka theksuar se kjo festë e cila vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët do të dalin më të afërt me njëri tjetrin.
“Nesër është ditë e Bajramit, ditë feste për besimtarët islam në mbarë botën. Të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, sepse vjen pas një sakrifice të madhe. Është manifestim falënderimi për Zotin pas agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit. Edhe në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në shoqërinë tonë, në familjet tona me gëzim e hare, me një gjuhë falënderuese ndaj krijuesit, duke përhapur me një gjuhë falënderuese në mesin e të gjithë besimtarëve”, tha Tërnava.
Ai në një konferencë për media ka thënë se duhet bërë më shumë që këto festa të mos zbehen, porse të festohen në mënyrën më të mirë.
“Është ditë kur forca e të pasurve dhe dobësia e të varfërve takohen në dashuri, mirësi dhe drejtësi, të frymëzuar nga qielli përmes bamirësive të shumta. Në këtë ditë, i lënë mënjanë shqetësimet, ngrihen mbi horizontin e parashikuar nga domethënia e kësaj feste, harrojnë fatkeqësitë dhe hallet, ngase fryma vëllazërore e Bajramit sikur i fshin gjurmët e urrejtjes e të dëshpërimit, sepse kjo festë është një vijë ndarëse e rikuperimit të shpresës për jetë më të mirë… Fitër Bajrami është një mundësi për të mbajtur dhe forcuar edhe më shumë lidhjet familjare, duke treguar dashurinë, respektin dhe dhembshurinë mes tyre, gjëra këto që forcojnë unitetin ndërmjet familjeve dhe shoqërisë. Andaj duhet bërë edhe më shumë që këto festa t’i festojmë si është më së miri, të mos zbehim festat tona nga bukuria e tyre fetare e kombëtare, t’ju falim atyre kuptimin shpirtëror edhe më të madh, shkëlqim e dritë vëllazërore”, ka përfunduar Tërnava.