Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Duke uruar për shëndet e mbarësi, Tërnava tha se kjo festë përçon mesazhin e paqes dhe të mirëkuptimit.
Tërnava u shpreh se festa e Kurban Bajramit tek ne vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë të mundshme edhe shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqen e mirëkuptimin, vlera këto që i japin kuptim shoqërisë.
“Sot po jetojmë në kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë. Në këtë ditë të madhe në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhi dhe porositë që i bart kjo festë të kuptohen drejtë nga të gjithë, lutemi po ashtu që bota të ketë sa më pak konflikte e ngatërresa luftëra e çrregullime, festa e Kurban e Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit, e mirëkuptimit. Duke iu uruar për festën e madhe të Kurban Bajramit, lus për shëndet, mbarësi, begati, dashuri, e harmoni në familjet tona. Me fat e mbarësi festa e Kurban Bajramit!”, tha Tërnava.
Duke kujtuar haxhinjtë kosovarë që janë duke kryer një nga obligimet e fesë myslimane. Tërnava tha se ata së bashku me miliona besimtarë të tjerë po shprehin përkushtimin dhe adhurimin ndaj Zotit në formën më të mirë.
“Me kryerjen e haxhit, besimtari shpreh në mënyrë shpirtërore emocionale e fizike përkushtimin vetanak dhe kolektiv për Zotin. I bindur në faljen e mëkateve dhe shpërblimet e shumta e të veçanta të premtuara nga Zoti fuqiplotë, kryerja e Haxhit përmban në vete urtësi e begati të shumta. Haxhi na rikujton udhëtimin për tek Zoti duke pasur për qëllim që haxhiu të kthehet i pamëkate”, vijoi Tërnava.
Kreu i BIK kujtoi edhe obligimin për prerjen e kurbanit dhe shpërndarjen e mishit me familjarët e nevojtarët për të gjithë besimtarët që kanë mundësi.
“Prerja e Kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibdaet shtesë ndërkaq argumenton shpirtin e bindjes për Zotin në të njëjtën kohë ka për qëllim qoftë edhe për një kohë të caktuar mbylljen e hendekut dhe ndasive mes shtresave të ndryshme shoqërore duke rritur bashkëpunimin dhe duke afruar ndihën dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit”, tha Tërnava.
Dita e parë e festës së Kurban – Bajramit, është të mërkurën, më 28 qershor 2023. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar kësaj feste do të mbahet në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.
Namazi i sabahut falet në orën 4.23 min, ndërsa namazi i Kurban-Bajramit falet në orën 5.38 min, të cilit do t’i prijë Burhanudin ef. Hashani- kryeimam i Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.
Ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban – Bajramit do ta mbajë dr. Selatin Mehani-pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë.
Me rastin e festës së Kurban – Bajramit, ditën e parë, më 28 qershor 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora 9:00-12:00.