Me diskutim të ashpër mes anëtarëve të LVV-së dhe Listës Serbe është përcjellë mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së nga LVV, Alban Krasniqi ka thënë se Lista Serbe është terroriste dhe të njëjtit po bëjnë presion te komuniteti serb.
Paraprakisht, anëtarët e LVV-së kanë votuar kundër certifikimit të rezultateve në komunat me shumicë serbe.
Krasniqi tha se derisa kjo parti të funksionojë në Kosovë nuk do të ketë demokraci.
“Sa i përket Listës Serbe, këtu është e qartë çdo gjë, që derisa të ekzistojë Lista Serbe, të funksionojë kështu, t’i lejohet funksionimi nga institucionet tona, nuk do të ketë demokraci në ato komuna edhe te komuniteti serb, i cili vuan sot nga presioni dhe shtypja që i bën Lista Serbe përmes përfaqësuesve të saj bashkë edhe me Vuçiqin që është kreatori i saj dhe shefi kryesor i kësaj listë”, ka thënë Krasniqi.
Pas deklarimit të anëtarit të LVV-së, ka reaguar anëtarja e Listës Serbe, Gordana Laban.
Më pas, Krasniqi i tha asaj “ti e përfaqëson një subjekt që ka vra njerëz”.
“Ti shpesh thirresh ne emër të qytetarëve të serbë por kurrë nuk i ke mbrojtë qytetarët serbë. Ti je ajo që i ke luftuar subjektet tjera politike serbe këtu, çdoherë. Në emër të Listës Serbe, Gordan. Kulturën prej terroristes, dhe krimineleje çfarë je edhe përfaqëson këtu nuk mundesh me na tregu zonjë. Ty duhet me të ardh marre kur na përmend kulturën këtu sepse përfaqëson një subjekt që ka vra njerëz. Kujdes”, tha Krasniqi, shkruan KP.
Laban ka reaguar duke mohuar se është terroriste dhe kriminele, madje ajo ka mohuar se është anëtare e Listës Serbe, duke thënë se ajo vetëm është propozuar si anëtare e KQZ-së nga Lista Serbe, por se përfaqëson të gjithë komunitetin serb.









