Një ngjarje jo fort e zakontë ka ndodhur dje në objektin e një kolegji privat në Gjilan, ku stafi, duke përfshirë edhe studentët janë përballur me një person, i cili papritmas ka hyrë në hapësirat e kolegjit, duke u shkaktuar frikë dhe shqetësim me sjelljet e tij.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Kolegjin “Fama”, në fshatin Koretishtë të Komunës së Gjilanit dhe kanë dhënë detaje për rastin, në të cilin u desh intervenimi i Policisë.
Si ndodhi rasti?
Sinjali mëson se dje në orët e pasdites, një 31-vjeçar kishte hyrë brenda objektit të kolegjit dhe me një aparat për fikjen e zjarrit ka thyer e dëmtuar gjithçka që i ka dalë përpara, përfshirë xhama, karrige e dyer.
Veprimet e tij të dhunshme kanë shqetësuar stafin e kolegjit, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Intervenimi i njësiteve policore ka qenë i menjëhershëm, të cilët kanë hasur në rezistencë tek i dyshuari gjatë arrestimit, me ç’rast një polic ka marrë lëndime trupore.
31-vjeçari i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dëmtim ose asgjësim i pronës’ dhe ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.
Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.