Një video që po qarkullon së fundi në rrjete sociale ka alarmuar qytetarët. Aty vërehet disa biskota të ardhura nga Turqia, me hapa brenda të cilët thuhet se paralizojnë fëmijët.
Por zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, thotë për EkonomiaOnline se në tregun tonë këto produkte nuk gjenden fare dhe nuk është importuar asnjëherë.
“Pas shqetësimeve që janë ngritur të konsumatorët në lidhje me shpërndarjen e videos për ëmbëlsirat e prodhuesit turk me emrin Luppo, ne menjëherë kemi nisur hulumtimin për të verifikuar rasti. Nga importuesi është vërtetuar që produkti i cili është shfaqur në këtë video fillimisht nuk është fare në Kosovë dhe nuk është importuar fare në vendin tonë”.
“Pastaj janë kontrolluar edhe produktet të cilat janë të brendit të njëjtë dhe janë kontrolluar në mënyrë të detajuar dhe asnjë nga këto produkte nuk është hasur problemi që është shfaqur në video”, thotë ai.
Sipas tij, importuesi ka ofruar dëshmi se produkti i cili shihet në video nuk ka ardhur asnjëherë në vendin tonë, raporton EO.
“Po ashtu kemi marr edhe dokumentacione që janë ofruar nga prodhuesit lidhur me cilësinë e produktit dhe është dëshmuar që video ka origjinën nga Iraku sepse produkti që shihet në video prodhohet nga Turqia dhe eksportohet vetëm në Irak”.
“Sot kemi marr edhe dokumente të tjera nga ambasada e Turqisë me të cilën dëshmohet se është hulumtuar kjo problematikë sepse produkti nuk mund të jetë në formën qysh është shfaqë në video sepse nëse ka medikamente brenda dhe ai i nënshtrohet temperaturave të larta atëherë medikamenti nuk do ta ruante formën në të cilën është shfaqur në video”, thotë ai.
Thaçi shtoi se janë marr të gjitha veprimet, ndërsa siguroi të gjithë konsumatorët që janë të sigurt.
Sipas tij produkti është i sigurt për konsum sepse janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme të cilat dëshmojnë sigurinë e produktit
“Ne kemi obligim para konsumatorit dhe kemi kryer të gjitha gjurmimet dhe kemi marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe konsumatori duhet të ndihet i sigurt sepse produkti i cili është shfaqur në video nuk gjendet fare në Kosovë dhe ju bëje apel të gjithëve ata që shfaqin video të ndryshme fillimisht të na kontaktojnë neve dhe mos të shkaktojnë panik pa nevojë për konsumatorët për produktet që nuk gjenden në Kosovë”.
“Produkti është i sigurt për konsum sepse janë kryer të gjitha kontrollet dhe ekzaminimet e nevojshme të cilat dëshmojnë rreth sigurisë së produktit dhe produkti gjithmonë iu është nënshtruar kontrollit në kufi dhe gjithmonë ka ardh i pajisur me certifikatë shëndetësore dhe certifikatë të analizave laboratorike”, thotë ai./eo/