Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Pas ftesës, Thaçi ka njoftuar se të hënën do të udhëtojë për në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale, transmeton Zeri.info.
Lajmin e ka bërë të ditur vet presidenti përmes një shkrimi në Facebook.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, ka shkruar Thaçi.
I pari i vendit, ka bërë thirrje për unitet për siç ka thënë ai “të përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”
“Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi. Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju faleminderit për përkrahjen tuaj! Zoti e bekoftë Kosovën!”, ka shkruar presidenti.
Kujtojmë se më 24 qershor, Prokuroria Speciale ka bërë publike aktakuzat e ngritura ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të ngritura zuyrtarisht ndaj tyre në 24 prill 2020.
Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.