Protokolli i Shtetit kërkon të ketë bashkërendim të agjendës së presidentit, të kryeministrit dhe të kryeparlamentarit në mënyrë që këta tre të mos jenë në të njëjtën kohë jashtë vendit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Por kjo rregull nuk po respektohet nga tre krerët institucionalë: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.
Presidenti Thaçi ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”. Kryeparlamentari Veseli ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Kroaci, ndërsa kryeministri Haradinaj është në prag të nisjes për në SHBA.
Gazeta “Zëri” ka gjetur se në Ligjin për Protokollin e Shtetit shkruan saktësisht se tre liderët nuk guxojnë njëkohësisht të jenë jashtë shtetit.
“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Nenin 19 të Ligjit për Protokollin e Shtetit e mosrespektimi i Protokollit po vlerësohet si papërgjegjësi e drejtuesve të shtetit./Monitor/