James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, ka përmbyllur të enjten dëshminë e tij tre-ditore në Dhomat e Specializuara në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
I thirrur si dëshmitar i mbrojtjes, Covey ofroi një pasqyrë të gjerë mbi strukturën organizative të UÇK-së, rolin e Hashim Thaçit gjatë dhe pas luftës, marrëdhëniet mes komandantëve, tensionet ndëretnike dhe një sërë ngjarjesh të ndjeshme që pasuan çlirimin e Kosovës.
Sipas Covey-t, komandantët e UÇK-së kishin një marrëdhënie të vështirë me Hashim Thaçin, duke treguar shpesh mungesë respekti ndaj tij. Ai përmendi një episod konkret gjatë një takimi të rëndësishëm me gjeneralët amerikanë Wesley Clark dhe Michael Jackson, ku komandantët e zonave flisnin drejtpërdrejt me gjeneralët, ndërsa Thaçi mbetej në prapavijë, i anashkaluar.
Në dëshminë e tij, Covey vlerësoi se Agim Çeku ishte figura më me ndikim brenda UÇK-së, duke e përshkruar si një person që gëzonte autoritet dhe aftësi për të ndërtuar konsensus mes komandantëve të ndryshëm. Ai sqaroi gjithashtu se UÇK-ja nuk funksiononte me një komandë të centralizuar, por si një strukturë më e lirshme, ku secili komandant kishte autonomi të konsiderueshme në zonën e vet të kontrollit.
Lidhur me raportet ndërpersonale, Covey theksoi se marrëdhënia mes Thaçit dhe Çekut ishte korrekte, por e rezervuar.
Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë iu kushtua vrasjes së 14 civilëve serbë në Lipjan, menjëherë pas përfundimit të luftës. Covey deklaroi se, sipas asaj që kishte dëgjuar nga vetë Thaçi në atë kohë, këto akte ishin pasojë e mungesës së rendit dhe të një force policore funksionale. Sipas tij, Thaçi kishte shprehur shqetësim se situata mund të rrëshqiste drejt anarkisë, duke nënvizuar nevojën për vendosjen e kontrollit.
Në pjesën që i kushtohej procesit të Rambujesë, Covey përshkroi Thaçin si të frikësuar dhe nën trysni nga komandantët e zonave, të cilët, sipas tij, ushtronin presion të madh gjatë atyre negociatave.
Në përfundim të dëshmisë së tij, Covey dha një përshkrim të drejtpërdrejtë dhe personal për Hashim Thaçin:
“Na u paraqit si një i ri ambicioz dhe i zgjuar, por jo shumë i zhvilluar. Kishte më shumë ambicie politike sesa aftësi për të imponuar veten. Ai përpiqej të gjente rrugën e tij në një fushë ku nuk kishte përvojë.”
“Ne e vëzhgonim me interes këtë përpjekje – se si po mundohej të orientohej në një situatë të panjohur për të”, tha ai.