Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e Vitit të Ri Hebraik, deklaroi sot se është nder për Kosovën që kjo festë po shënohet në Kosovë, me lajmin e shumëpritur të njohjes nga shteti i Izraelit.
Gjatë adresimit të tij në një event të organizuar për Vitin e Ri Hebraik, kreu i Kosovës theksoi se miqësia historike mes dy popujve po forcohet çdo ditë e më tepër dhe se po ndërtohet një urë e veçantë e komunikimit nga i cili do të përfitojnë Kosova dhe Izraeli.
“Shënojmë këtë manifestim madhështore me një moment historik për të dyja vendet. Do të kemi linja ajrore më funksionale, ka karakter të sigurisë, do të jemi në luftim të terrorizmit. Njohja e Izraelit ka një rëndësi strategjike, do të forcojë Kosovën dhe rolin e saj si subjektivitet i fuqishëm ndërkombëtar. Kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi ai.
Ai theksoi se presidenti Donald Trump me marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë bëri atë që të tjerët për 20 vjet nuk kanë arritur ta bëjnë, në kohën kur të tjerët sipas tij ishin skeptikë me punën e emisarit amerikan për dialogun Richard Grenelli.