Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mëngjesin e së dielës ka dalur para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë për aktakuzën e re të ngritur ndaj tij për pengim të drejtësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Thaçi bëri të ditur se me aktakuzën e re u njoftua dy ditë më parë. Ai tha se familja e tij dhe shoqëria kosovare po presin drejtësinë për këtë proces.
“Me siguri ju e dini që unë tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirinë e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës më së paku nga viti 1980 deri më sot. Pra është një proces voluminoz. E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, e presim drejtësinë për çka edhe besojmë në drejtësi”, tha fillimisht Thaçi.
Tutje, Thaçi theksoi se edhe pse Kosova është në prag të zgjedhjeve, ai nuk do të jetë pjesë e garës elektorale, dhe se siç tha ai nuk paraqet rrezik politik për askënd, ndaj dhe kërkoi që të respektohen Kushtetuta dhe Ligjet e Kosovës.
“Krejt papritmas para dy-tre ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik politik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkoj edhe sot nga të gjithë në këtë sallë që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës.”
Lidhur me akuzat, Thaçi tha se s’ka pasur mundësi që të diskutojë.
“Për shkak të angazhimeve tjera, unë nuk kam pasur mundësi që ta diskutojë në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana juaj, prandaj do të deklarohem në kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor”, tha Thaçi në Gjykatë.
Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës, Thaçi ka udhëzuar Kilajn, Smakajn, Fazliun dhe Kuçin të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë si dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.
Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi. Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.
“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”, thuhet në Aktakuzë.
/Reporteri.net/