Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përjashtuar mundësinë që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme pas rasteve të shtuara me COVID-19.
Thaçi ka thënë se nga përvoja e tij personale me regjimin serb të kohës së luftës, ka urryer gjendjen e jashtëzakonshme.
“Gjithmonë, termin gjendje e jashtëzakonshme e kam urryer, nga përvoja personale nga regjimi i Serbisë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se ideja për gjendje të jashtëzakonshme ka qenë e partive politike dhe si presidentit i vendit thotë se e ka pasur obligim kushtetues ta procedojë atë.
“Kurrë nuk kam pasur ndonjë pretendim entuziast sa i përket asaj gjendjeje. Ideja ka qenë që ajo të jetë në të mirë të shëndetit të qytetarëve”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se gjendja e tanishme me koronavirus nuk ka nevojë për rrethana të jashtëzakonshme.
“Nuk kemi nevojë për rrethanë të jashtëzakonshme, por të respektohen rekomandimet e institucioneve të shëndetësisë. Hapja e plotë natyrisht ka edhe rreziqe por dua të besoj se qytetarët do të respektojnë rekomandimet”, ka shtuar i pari i vendit në një konferencë për media.
“Ajo rrethanë në atë kohë ishte për të krijuar një mundësi për të mbrojtur qytetarët, por ai momentum është i përmbyllur tashmë nga ana ime. Është me rëndësi të respektohen rekomandimet e IKSHPK-së”, deklaroi Thaçi.
Thaçi, qysh në kohën kur në vend ishin vetëm 19 të infektuar me koronavirus, kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Mirëpo, qeveria e atëhershme e Kurtit, nuk e kishte përfillur kërkesën e tij.
Në Kosovë aktualisht janë 1234 të infektuar me koronavirus. Vetëm në 24 orët e fundit u shënuan 40 raste të reja. /Zëri