Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”, për policin e vrarë ditë më parë në Istog, Izet Demaj.
Duke u bazuar në Ligjin për Dhënien e Dekoratave, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, Presidenti Thaçi ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”.
Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe që kanë dëshmuar veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte apo paqeje.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenin 84(28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gjithashtu në nenin 6 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave dhe në Rregulloren (P) nr. 04/2016, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës””, thuhet në një komunikatë të presidencës dërguar mediave.
Vendimi, certifikata dhe urdhri “Hero i Kosovës” do t’i dorëzohen familjes Demaj.
Polici Izet Demaj u qëllua për vdekje gjatë një plaçkitje që ndodhi kah fundi i dhjetorit në Istog.