Armend Thaqi është paraqitur në konferencën për media në prag të sfidës kampionale ndaj Feronikeli ’74, takim ky i cili do të zhvillohet të shtunën në Drenas.
Anësori i djathtë ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të tij që të kenë kujdes, pasi që kundërshtari është në rritje e sipër.
“Ndeshje e vështirë, duke parë që forma e Feronikelit ’74 është në ngritje e sipër. Pavarësisht që jemi në një ngërç psikologjik, ne megjithatë kemi përvojën dhe kemi cilësinë që ta përballojmë këtë ndeshje dhe të luajmë për fitore. Kemi bërë gabime gjatë rrugës dhe jemi të vetëdishëm për këtë gjë, prandaj fitorja është alternativa e vetme për këtë ndeshje”.
Thaqi ka potencuar që ekipi duhet të jetë më i vëmendshëm dhe mos të gabojnë.
“Kemi pranuar gola nga gabimet individuale dhe duhet të reflektojmë. Kemi pranuar gola, por kemi gjetur forcën për t’u rikthyer dhe kjo tregon karakterin e ekipit. Megjithatë, duhet të vetëdisohemi dhe të eleminojmë gabimet në mënyrë që të mos shpenzojmë shumë energji për ta ndjekur rezultatin, por për ta krijuar atë. Besojmë fuqishëm që nga ndeshja e nesërme do reflektojmë pasi që jemi në një situatë ku gabimet nuk falen shumë”.