Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Kryetari i trupit gjykues e ka obliguar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që dorëzimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit për dy të akuzuarit, t’i paraqes jo më vonë se 25 korriku 2024.
“Për arsyet e përmendura më lart, Paneli urdhëron këtu: (a) Vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi; dhe (b) Urdhëron Prokurorin Special të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Thaçi jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76…. Për arsyet e përmendura më lart, Paneli këtu: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli; dhe b) URDHËRON ZPS-në të paraqesë dorëzimet për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Veseli jo më vonë se të enjten, më 25 korrik 2024, në orën 16:00, me përgjigjen dhe kundërpërgjigjen që do të ndjekin afatin e përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në dispozitivin e dy vendimeve për Thaçin e Veselin.
Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, ZPS-ja ka argumentuar se paraburgimi ndaj tyre mbetet proporcional dhe i arsyeshëm duke iu referuar edhe gjetjeve të mëparshme të trupit gjykues.