Xhiroja e 20-të kampionale sjell përballjen FC Drita – KF Dukagjini, ndeshje që zhvillohet në stadiumin sintetik në Gjilan nesër, e shtune nga ora 13:00.
Kryetrajneri i FC Drita, Arsim Thaqi tha se në ndeshjen e nesërme duhet të tregojnë karakter dhe se në këtë ndeshje, por edhe në çdo ndeshje tjeter, Drita do të tregohet këmbëngulëse.
“Të gjithë në klub jemi të vetëdijshëm për ambiciet që ka klubi, por edhe cilësitë dhe duhet t’i mbledhim forcat e ta tregojmë vetën. Pres që nesër ekipi të tregoj formë dhe t’i mohoj të gjitha zërat e të tregojë se Drita ka ekip edhe për titull. Lojtarët e kanë kuptuar cila është rruga për fitore me vetë faktin që kemi pasur raste (në ndeshjen ndaj Trepça ’89) dhe fati nuk ishte në anën tonë. Ne duhet të mendojmë përpara dhe gjatë javës e kemi diskutuar që duhet të jemi më këmbëngulës sidomos nga fundi i ndeshjes. Duhet të tregojmë karakter dhe në kushtet e rastet që krijohen t’i shfrytëzojmë në maksimum që të shënojmë fitore (në këtë rast kundër Dukagjinit)”, ka thënë Thaqi.
Gjatë konferencës u diskutua për fazën përgatitore, konkurrencën në kampionat dhe ambiciet e klubit.
Për këtë trajneri, Arsim Thaqi theksoi se Drita vazhdon të jetë kandidat kryesor për titull kampioni dhe në këtë fillim edicion mund të reflektohet shpejt në përmirësim të gabimeve.
“Ndeshjet e para nuk kanë favorit, është ndeshja ku secili ekip ka bërë fazë përgatitore dhe është evidente që secili ekip jep maksimumin për t’i treguar forcat. Kishte faktorë që ndikuan si kushtet atmosferike, ndryshimi i kohës nga faza përgatitore, fusha dhe mendoj se ishte problemi te koncentrimi dhe motivimi e jo te angazhimi. Është e rëndësishme të mos i përsërisim gabimet, lojtarët ta kenë koncentrimin dhe durimin. Ekipi ka lojtarë që janë në zhvillim e sipër dhe dita-ditës do ta japin potencialin dhe në bashkëpunim me lojtarët me eksperiencë jam optimist se secili do të jap kontribut në rrugëtimin drejt titullit”, përfundoi Thaqi.