FC DRITA do të zhvillojë ndeshjen e xhiros së 21-të si mysafir ndaj FC Prishtina, nesër me fillim nga ora 13:00.
Pas fitorës bindëse në ndeshjen e kaluar rriten apetitet për ta përsëritur rezultatin dhe ndeshjen e bukur dhe për këtë kryetrajneri ynë, Arsim Thaqi kërkoi fokus maksimal.
“Pas fitores gjërat gjatë javës shkojnë shumë mirë qoftë për trajnerin qoftë për lojtqrët janë më të motivuar dhe të angazhuar në stërvitje për t’i marr informacionet për ndeshjen e radhës. Prishtina është ekip i madh me histori në futbollin e Kosovës dhe do të qasemi me seriozitetin maksimal. Ne kemi analizu Prishtinën dhe dukë lënë anash humbjet e kundërshtarit ne duhet të fokusohemi te loja jonë dhe të bëjmë më të mirën në ndeshje. Ata dijnë të organizohen dhe në moment të caktuar të bëjnë kthesa, prandaj çdo ndeshje është si finale dhe duhet fitohet. Lojtarët besoj e kanë kuptuar cili është qëllimi jonë. Çdo pikë e humbur për ne është e parikuperueshme”, ka thënë Thaqi.
Entuziast janë edhe lojtarët dhe sipas Besnik Krasniqit nesër duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën.
“Ne jemi të vetëdijshëm që kemi një ndeshje të vështirë. Kemi harruar ndeshjen ndaj Dukagjinit, bëmë lojë të mirë dhe fitorja erdhi në kohën e duhur. Kemi punuar këto dy ditë për ndeshjen që na pret nesër dhe do hyjmë në fushë që të bëjmë më të mirën dhe të marrim fitoren e rradhës”, theksoi Krasniqi.
Ndër të tjera trajneri Thaqi foli edhe për presionin që mund të ketë DRITA për objektivin e të shpallurit kampion.
“Pozita e trajnerit dihet, jo vetëm në Kosovë trajnerin e mbajnë në ekip rezultatet. E di se çfarë është presioni dhe menaxhimi i tij, duhet të fokusohemi te mënyra e lojës dhe puna që bëjmë që të arrijmë te rezultati. Kam besim që kemi lojtarë që dijnë ta kenë qetësin dhe durimin e duhur në momente të caktuara në mënyrë që ta mbajmë ritmin deri te ndeshjet vendimtare dhe direkte. Mendoj se edhe neser duhet të jetë me rëndësi dhe t’i marrim ato ndeshje pas ndeshje”, përfundoi Thaqi.
Sa i përket përbërjes së skuadrës për nesër janë të gatshëm të gjithë futbollistët përveq Marko Simonovskit dhe Almir Kryeziut.