Të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar që më herët janë ngrohur me thëngjill gjatë stinës së dimrit, nga ky vit nuk do të mundë ta përdorin këtë lëndë djegëse.
Vendimin e ka marrë kohë më parë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi. Drejtoritë Komunale të Arsimit e kanë për obligim ta zbatojnë këtë vendim, me qëllim të mbrojtjes së ambientit.
Me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit si dhe mbrojtjes së ambientit, shkollat e vendit nuk do të ngrohen më me thëngjill. Ky vendim është marrë nga ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi. Këshilltari i tij, Valmir Gashi, tha për televizionin publik se vendimi për ndalimin e thëngjillit për ngrohje në të gjitha institucionet edukativo arsimore në sezonin dimëror, është marrë në koordinim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Vendim ndalon vetëm përdorimin e thëngjillit për ngrohje nëpër shkolla, ndërsa mund të përdorin çdo alternativë tjetër për ngrohje, sepse çdo alternativë tjetër është më e mirë se sa përdorimi i thëngjillit. Është kompetencë e komunave për të siguruar ngrohjen nëpër shkollat e Kosovës dhe ato e kanë përgjegjësinë të vendosin se me çfarë do të ngrohen shkollat” ka thënë Gashi.
Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Islam Shabani, tha se i kanë marrë të gjitha masat që të bëjnë zgjidhje për ngrohjen dhe se janë në procedurë të tenderimit për ngrohje me dru. Ai theksoi se shumë qytetarë që banojnë afër shkollave, kanë reaguar nga ndotjet që ka shkaktuar ngrohja me thëngjill. Edhe pse ngrohja me dru kushton më shumë, Shabani tha se kjo bëhet në të mirë të qytetarëve dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Jemi orientuar me kohë në sasinë e druve. Me kohë i kemi zotuar mjetet dhe është në tender procesi i blerjes së druve, që nuk do ta kemi problem këtë çështje. Diku i kemi zotuar 100 e 2 mijë euro për rreth 2 mijë e 400 metra dru, që do të mjaftojnë për sezonin e dimrit” tha Shabani.
Inspektorati i Ministrisë së Arsimit do të bëjë inspektimin në rast se shkollat do të përdorin thëngjill apo jo, në mënyrë që të ndërmerren masat e parapara për ndalimin e tij.