Përsëriten sërish skenarët e gjuhës urrejtëse, raciste dhe ksenofobe antishqiptare.
Gjatë ndeshjes së basketbollit të luajtur të shtunën mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, një pjesë e tifozëve të pranishëm në sallë shpërthyen me kore antishqiptare.
Sipas agjensisë INA, e cila ka publikuar pamjet, në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Ky ishte refreni i thirrjeve që u dëgjuan qartë nga një pjesë e tifozëve në tribunë, ndërsa autoritetet e pranishme nuk ndërmorën asnjë veprim për të ndaluar gjuhën e urrejtjes.
Koret vazhduan pavarësisht pranisë në sallë të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë. Ky nuk ishte momenti i vetëm provokues gjatë ndeshjes.
Përgjatë zhvillimit të saj, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Pas përfundimit të ndeshjes, nuk pati asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim falje nga organizatorët apo përfaqësuesit institucionalë për incidentin.
Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar ashpër Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik.
Ai shtoi se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik.
Edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka reaguar ashpër pas episodeve të ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës në Basketboll 2027, e zhvilluar mbrëmjen e djeshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Fetai e cilësoi këtë sjellje si një “tradhti të turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të përfaqësojë”.
“Ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht se nga cila palë vjen, nuk kanë vend në stadiumet tona, në shoqërinë tonë, as në të ardhmen tonë të përbashkët”, tha ai.
Fetai u bëri thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të vendosura për të ndalur këtë fenomen të rrezikshëm, duke theksuar se heshtja ose mosveprimi vetëm sa e thellojnë urrejtjen.
“Si shtet, ne duhet të promovojmë gjithëpërfshirjen dhe respektin në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë sportin. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një Maqedoni të Veriut ku përçarja nuk është opsion dhe ku diversiteti është forca jonë, ndërsa uniteti krenaria jonë”, përfundoi ai.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur indinjatën dhe revoltën më të thellë për ngjarjen skandaloze që ndodhi mbrëmë në Kumanovë. /Alsat/Klankosova.tv