Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dënuar thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë të shtunën.
Nëpërmjet një deklarate presidentja Osmani, ka vkerësuar se thirrjet antishqiptare janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, “që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane”.
Ajo ka thënë se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër.
Për Osmanin edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, “duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”.
“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen. U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE.”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.
Ndryshe, thirrjet antishqiptare të tifozëve maqedonas në tribunë gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni e Veriut–Rumani, që u mbajt të shtunën në Kumanovë, kanë trazuar jetën politike të Shkupit.
Liderët e partive shqiptare e kanë dënuar këtë gjuhë raciste dhe përçarëse, e cila bëhet edhe më e rëndë pasi është ekzekutuar në prani të kreut të qeverisë Hristijan Mickoski.
Thirrjet dhe refrenet u dëgjuan gjatë gjithë ndeshjes: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke iu referuar asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj hebrenjve.
Ndeshja e basketbollit Maqedoni e Veriut–Rumani ishte e vlefshme për kualifikueset për Kupën e Botës në Basketboll 2027.