Kosova ka rritur varshmërinë e saj ndaj importit derisa në muajin korrik është shënuar rekord i importeve të produkteve në vlerë prej 502 milionë euro, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Për herë të parë, Kosova ka importuar produkte në vlerë mbi 500 milionë euro brenda një muaji, bazuar në raportin e statistikave të tregtisë së jashtme, të publikuar nga ASK-ja të martën.
Derisa importet e korrikut 2022 shënuan nivel historik, eksportet e Kosovës kanë stagnuar. Vlera e eksporteve të produkteve ka mbetur në 76 milionë euro.
Kësisoj, deficiti tregtar mes importit dhe eksportit, i Kosovës, është rritur në mbi 400 milionë euro.
Po ashtu, vendi ka rritur varshmërinë nga produktet serbe.
Importet nga Serbia kanë shënuar rekord në periudhën “post-taksë” në shumë prej 37,15 milionë euro për muajin korrik, ndërsa eksportet nga Kosova në Serbi kishin vlerë prej vetëm 5.05 mln €.
Deficiti tregtar me Serbinë është rritur në rreth 32 milionë euro në muajin korrik.