Prokuroria Themelore në Gjilan më 21 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj kirurgut, Luan Mustafa, i cili ngarkohet se më 16 janar ka sulmuar kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se dëshmitarja N.H., kishte deklaruar se është kërcënuar nga tre persona, një ditë para se të ofronte dëshminë e saj në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Aty thuhet se N.H., ka deklaruar se tre burra kishin qenë në shtëpinë e saj në Preshevë në mbrëmje dhe e kishin kërcënuar me fjalët “ti dëshmi nuk guxon me shku me dhanë në Gjilan, se ta kërcnojna djalin” dhe më pas të njëjtit ishin larguar, kështu duke i shkaktuar frikë dëshmitares.
Tutje, në aktakuzë thuhet se personat në fjalë nuk kishin specifikuar ndonjë emër, nuk i kishte njohur dëshmitarja dhese nga të folurit e tyre nuk dukeshin se ishin nga Presheva.
Pavarësisht kërcënimit, dëshmitarja kishte thënë se kishte shkuar të dëshmonte rreth rastit për sulm fizik ndaj kirurgut Arbër Morina, pa asnjë lloj ndikimi apo presioni.
N.H., kishte thënë se lajmin për sulmin e doktorit e kishte parë në lajme dhe kur e kishte parë fotografinë, menjëherë e kishte njohur.
Në aktakuzë thuhet se N.H., në dëshminë e saj ka thënë se derisa po qëndronte në korridor duke pritur të dilte nga salla e operimit djali i saj, kishte dalë kirurgu, Arbër Morina, i cili ia kishte operuar djalin, dhe e kishte njoftuar se operimi është kryer me sukses.
Pastaj N.H., ka deklaruar se ishte nisur drejt dhomës numër 9 në Spital dhe me t’u shtrirë në dhomë kishte filluar të dëgjonte zhurmë të madhe tek dera përballë dhe sipas dëshmitarës, “bojke rrap rrap rrap sikur kur don me qel e me mshel me zor” dhe me të dëgjuar zhurmat ishte nisur drejt derës kishte parë një doktor (të cilin e njohu se është doktor duke u bazuar në veshje) duke duke dalë me nervozë nga zyra e kirurgut Morina dhe i cili i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët “sa të dilsh prej qetuhit, shpirtin kam me ta nxjerrë”.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri më pas kishte shkuar në një zyrë tjetër, kurse dëshmitarja kishte parë Morinën me buzën me gjak dhe qafën e skuqur. Kur kishte shkuar ta merrte djalin në sallë, thuhet se dëshmitarja kishte parë sigurimin dhe dy persona tjerë, e më pas kishte ardhur Policia.
Lidhur me këtë rast, në aktakuzë thuhet se dëshmi ka dhënë edhe drejtori i Përgjithshëm i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.
Sipas aktakuzës, dëshmitari Emini thuhet se deklaroi që i dëmtuari, pas rastit e kishte telefonuar drejtorin e Spitalit dhe i kishte kërkuar të shkonte direkt në zyrën e tij, duke i thënë “doktor po më sulmon Luani, hajde shpejt”, e kjo bisedë thuhet se kishte zgjatur nëntë sekonda dhe drejtori ishte nisur direkt në zyrën e të dëmtuarit.
Dëshmitari thotë se në hyrje të objektit, ku ishte Kirurgjia, e kishte parë sigurimin dhe u kishte thënë të shkonin menjëherë në Kirurgji për shkak se ishte një problem.
Në aktakuzë thuhet se reparti kishte qenë me kod dhe e kishte shtypur zilen derisa të hapej dera dhe teksa po prisnin, dëshmitari ka thënë se Morina e kishte telefonuar përsëri dhe i kishte thënë “doktor, hajde më shpejtë se më ka sulmu, jam në zyrë”.
Sipas dëshmitarit, telefonata është bërë rreth orës 14:07 dhe kishte zgjatur 14 sekonda, kurse sapo ishte hapur dera kishin dalë disa palë e bashkë me ta edhe doktor Luani.
Drejtori së bashku me sigurimin, thuhet se ka deklaruar që kishin shkuar në zyrën e Kirurgjisë dhe e kishin gjetur të përgjakur Morinën, ku në buzë i kishin parë shenja gjaku të freskëta, skuqje në qafë në formë të shtrëngimit.
Në zyrën e tij, thuhet se po ashtu kishin gjetur tavolinën e punës të zhvendosur, copëza të gëlqeres së murit të shpërndara në dysheme, si dhe një pjesë të perdeve të shkëputura. I dëmtuari thuhet se i kishte thënë dëshmitarit që kishte shkuar Mustafa në zyrë dhe i kishte thënë çka ishin ato letra- vërejtje që kishte bërë dhe e kishte sulmuar e sharë.
Tutje, thuhet se drejtori kishte telefonuar një zyrtare dhe i kishte kërkuar ta thërrasë Policinë, kurse të dëmtuarit i kishte thënë të marrë ndihmë mjekësore.
Dëshmitari ka thënë se tani i akuzuari dhe i dëmtuari kanë pasur raporte kolegiale dhe zyrtare, por që Morina paraprakisht kishte paraqitur disa shqetësime verbalisht për mosrespektim të orarit të punës dhe mosrespektim të rregullave të repartit, për të cilat drejtori i kishte kërkuar t’i bënte me shkrim, e të cilat i kishte paraqitur. Kur ishin bërë tri të tilla, kishe kërkuar të hapej procedurë disiplinore.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka mohuar se e ka sulmuar fizikisht Morinën. Por, e ka pranuar se ka qenë në zyrën e të dëmtuarit për shkak të vërejtjeve që i njëjti ia kishte bërë, por se sipas tij ndërmjet tyre ka pasur një debat verbal, por jo edhe rrahje.
Kurse, i dëmtuari ka deklaruar se Mustafa e ka sulmuar fizikisht sapo ky ishte kthyer në zyrën e tij nga një operim dhe se sulmi kishte ndodhur për shkak të detyrave të tij të punës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngitur aktakuzë ndaj kirurgut Luan Mustafa, i cili ngarkohet me veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se i akuzuari Luan Mustafa më 16 janar 2024 në orën 14:05 në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e Kirurgjisë, në zyrën e të dëmtuarit, kirurgut, Arbër Morina, i cili mban pozitën ushtrues detyre i shefit të repartit të Kirurgjisë, i pandehuri Mustafa kishte ushtruar dhunë fizike ndaj Morinës, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Më 16 janar 2024, Policia e Kosovës (PK) kishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë kirurgun Luan Mustafa, nën dyshimin se sulmoi fizikisht kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Regjional në Gjilan.
Ndryshe, Mustafa vitin e kaluar është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se bashkë me anesteziologun Halil Basha kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ndaj tyre Gjykata Themelore në Gjilan kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaj./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.