Janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen kualifikuese në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Ndeshja që zhvillohet më 14 tetor, do të luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për kualifikimet në Euro 2020.
Por, para se ‘Dardanët’ të përballen me malazezët, fillimisht do ta zhvillojnë miqësoren ndaj Gjibraltarit më 10 tetor.
Biletat për takimin me Malin e Zi janë shitur pak çaste më parë, mirëpo tifozët po ankohen se ato më shumë po shiten në tregun e zi dhe jo në ueb faqen “tiks.app”.
Tashmë është e konfirmuar se biletat që disa persona arrijnë t’i marrin për ndeshjet që i zhvillon Kosova, dalin menjëherë në treg të zi, mirëpo edhe në faqen “MerrJep.com”.
Po të hyni me një klikim në këtë faqe, mund t’i shikoni disa dhjetëra postime të disa personave që kanë lënë edhe të dhënat e tyre për shitjen e biletave në ndeshjen ndaj malezezëve, por nuk mungojnë as ato për miqësoren ndaj Gjibraltarit.
FFK po vazhdon të luftojë këtë dukuri, mirëpo ende nuk po ka sukses dhe shumë adhurues të Përfaqësueses nuk po arrijnë të sigurojnë biletë. /Telegrafi/