Disa tifozë të Dritës kanë kërkuar që anësori, Almir Kryeziu të luajë nga minuta e parë në formacionin bazë të Ardian Nuhiut.
Drita të shtunën (dje) triumfoi me vështirësi 1-0 kundër Drenicës në Gjilan me golin e Simonovskit të realizuar në minutën e fundit të kohës së rregullt të takimit, raporton Demokracia.com.
Në atë duel në pjesën e dytë u inkuadrua edhe talenti, Almir Kryeziu që nuk po gjen hapësira në 11-shen startuese të Nuhiut.
Kryeziu për kohën sa ishte në fushë bëri një paraqitje të mirë, duke krijuar disa raste shënimi.
E falë asaj paraqitje, tifozët e Dritës në njoftimin e klubit pas ndeshjes “vërshuan” shumë komente duke kërkuar që Kryeziu të jetë titullar.
“Kryeziu meriton çdo ndeshje me lujt startues”, “Almir Kryeziu përfekt në gjitha aspektet”, “Kryeziu i dha energji lojës”, ishin disa nga komentet e tifozëve të Dritës.
Almir Kryeziu iu bashkua Dritës në afatin kalimtar të verës si lojtar i lirë, ndërsa edicionin e kaluar ishte pjesë e Arbërisë.
Transferimi i Kryeziut bëri bujë të madhe në media, duke u konsideruar si një nga transferimet më të mira të klubit gjilanas.
Mirëpo, pas 13 javësh në elitë, Kryeziu duket se nuk është në planet e trajnerit shkupjan, Ardian Nuhiut.
Në ato pak ndeshje që aktivizohet Kryeziu, inkuadrohet në pjesën e dytë.