Togeri i Ushtrisë së Kosovës, Dhurim Shemsedini është dekoruar me medalje pas kthimit nga Misioni i parë ushtarak i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Ai bashkë me oficerë ushtarakë të tjerë të Kosovës ishin pjesë e misionit paqeruajtës në Kuvajt, duke qëndruar në këtë mision prej muajit maj deri në tetor të këtij viti.
Pas kthimit në Kosovë, Shemsedini dhe kolegët e tij janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se “Misioni i bashkë-zbarkimit në Kuvajt, misioni i juaj i parë, është misioni i parë edhe për Kosovën. Prandaj, ju do të mbaheni në kujtesën tonë si grupi i parë që tregoi vullnetin e lartë dhe të fuqishëm të ushtarakëve të Kosovës të japin më shumë për paqe dhe liri sepse, ne si popull e dimë çmimin e lartë të lirisë.” Kurti ka thënë se këta oficerë i kanë sjellë vendit krenari, ngase në misionin e tyre në Kuvajt kanë dëshmuar në praktikë përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe siguri, edhe jashtë kufijve.
Pjesë e këtij misioni ishin: majori Mentor Ibrahimi, kapiteni Kreshnik Haxhiu, togeri Dhurim Shemsedini, tetari Hyjnor Lajqi dhe ushtari i Klasit të Parë Mehmet Mehmeti.
Togeri Dhurim Shemsedini, ka thënë se ndjehet i lumtur që ka përmbushur misionin e tij. Sipas tij pjesëtaret kosovarë në Kuvajt me përkushtim i kanë kryer të gjitha detyrat që i kanë patur para vetit dhe se ndjehen krenarë që me praninë e tyre i kanë shërbyer ruajtjes së paqes në këtë pjesë të botës.
Togeri i Ushtrisë së Kosovës, Dhurim Shemsedini është dekoruar me medalje pas kthimit nga Misioni
Ndani këtë artikull