Festa e Fitër Bajramit është ditë e zakonshme për Policinë e Kosovës. Ata janë në krye të detyrës sikurse çdo ditë tjetër. Me këtë rast, togeri nga Gjilani, Ismet Hashani tregon për Tëvë 1 se si e kalojnë zyrtarët policorë këtë festë.
Ai thotë se qëllimi i tyre është që qyteti ta ketë një ditë të qetë, e qytetarët të kalojnë sa më mirë.
“Sot jemi në ditën e festës së Fitër Bajramit dhe është një ditë e zakonshme për Policinë e Kosovës. Ju mund të na shihni në udhëkryqe, mund të na shihni nëpër qendra më të mëdha tregtare, nëpër parqe e të tjera, me një qëllim të vetëm, që ta kemi një ditë të qetë, një ditë të zakonshme dhe njerëzit të kënaqen duke festuar me familjet e tyre…ne funksionojmë si në çdo ditë tjetër”, deklaroi ai në një lidhje direkte në emisionin “Herët” në Tëvë 1.
Tutje, Hashani bëri të ditur se fluksi më i madh i qytetarëve pritet të jetë në orët e pasdites, teksa theksoi se nuk pritet që të ketë ndonjë incident.
“Duhet të jem shumë i sinqertë, gjatë festave kemi më pak incidente. Pritet fluks më i madh i njerëzve në orë më të vona, pas dreke, kur njerëzit dalin dhe takohen me familjet e tyre apo dalin në qytet, derisa orët para drekës janë më të qeta. Ne vazhdojmë të thërrasim qytetarët që edhe kur të dalin, edhe kur të festojnë, le të jenë ato festimet që kënaqen me familjet e tyre, shtohet madhështia e të qëndruarit bashkë, andaj nuk presim që të ketë asnjë incident. Sidoqoftë, Policia e Kosovës, për çdo rast preventiv është në punë 24 orë dhe sigurisht se do të ofrojmë të gjithë atë që kërkohet nga ne”, u shpreh ai.
Në fund, togeri Hashani uroi të gjithë qytetarëve festën e Fitër Bajramit, duke uruar që të gjithë të kalojnë sa më mirë dhe të mos ketë aksidente. /Teve1.info/