Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se mbi 600 mijë njerëz në Kosovë e kanë kaluar COVID-19.
“Në Kosovë e kanë kaluar një numër jashtëzakonisht i madh i njerëzve. Unë e kam përcjell një trend dhe mendoj që në Kosovë mund të thuhet lehtësisht se mbi 600 mijë njerëz e kanë kaluar COVID-19″.
“Studimet e fundit nga SHBA janë të atilla që vetëm 13 deri 18 % – varësisht se sa testime bëhen – identifikohen rastet që e kanë kaluar COVID-19, prandaj sipas kësaj përllogaritje nëse i kemi 70 ose 80 mijë të identifikuar me COVID-19 deri tash del që një numër ekstrem i lartë i rasteve e kanë kaluar. Ky imunitet i krijuar po e ndihmon Kosovën që në këtë valë të tretë, pas tubimeve në fushatë parazgjedhore, të mos kemi 3000-4000 raste të reja”.
Ai ka thënë se “zgjedhjet e fundit në vend janë shkelja më brutale që i ka ndodhur masave kundër COVID-19 nga politikanët dhe autoritetet e Kosovës”.
Tolaj në Klan Kosova, ka deklaruar se këta politikanë nuk kanë të drejtë morale që të kërkojnë një mbyllje të sërishme të vendit – masë të cilën ai e sheh të panevojshme bazuar në situatën epidemologjike.
“Këta politikanë, pavarësisht këta që janë në pushtet tash ose ata që kanë qenë në opozitë, nuk e kanë asnjë të drejtë. Edhe sikur të kishin të drejtë, mendoj që do të ishte e gabuar çfarëdo mase restriktive ekstreme, sepse situatën epidemiologjike nuk e kemi në atë nivel që të kemi të tilla masa, si dhe kapacitetet shëndetësore të Kosovës janë ende të mjaftueshme për të trajtuar këtë numër ose numër më të madh të të sëmurëve, por duhet vetëm një riorganizim”.