‘Wembley’ do të ‘ndizet’ mesditën e sotme, pasi do të presë derbin e Londrës, Tottenham-Arsenal, 2 skuadra që po luftojnë për një vend në zonën Champions. Rreth 80 mijë tifozë pritet të mbushin shkallët e stadiumit, për të shijuar spektaklin që pritet të ofrojnë të dy skuadrat, duke filluar që nga ora 13:30, ndërsa sfidën do të mund ta ndiqni direkt edhe në Supersport 1.
Tottenham mban aktualisht vendin e 5-të, me 49 pikë, vetëm 1 më pak se londinezja tjetër, Chelsea i Contes. Skuadra e Pocchetinos luan sfidën e 3-të radhazi me rivalë direkt, pasi fillimisht mposhti 2-0 Manchester Unitedin dhe javën e kaluar ndali në barazim 2-2 Liverpoolin në ‘Anfield’.
Nga ana tjetër, Arsenali vjen pas fitores bindëse, 5-1 ndaj Evertonit, në një sfidë ku shkëlqeu Aron Ramsey, ndërsa Aubameyang shënoi golin e parë ‘londinez’. Skuadra e Wengerit mban aktualisht vendin e 6 dhe sot luan një sfidë deçizive për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Champions, ndërsa fitorja është rezultati i vetëm i pranueshëm.
Edhe Tottenhami do të synojë 3 pikët, për të ruajtur ritmin e Chelseat dhe Liverpoolit, me shpresën që këto skuadra do të gabojnë. Harry Kane është i gatshëm për Pocchetinon dhe pritet të jetë sërish protagonist për Spursat./G-Shqip/