Tre të rinj kanë humbur jetën në një aksident trafiku në magjistralen Kaçanik-Ferizaj, që ka ndodhur 40 minuta pas mesnate të premten. Një i katërt ndodhet në gjendje kome në QKUK. Viktimat janë bashkëfshatarë nga një fshat i Kaçanikut, të moshës 17 deri në 21 më i rrituri.
Tre familje kanë hapur të pame, të premten, në fshatin Kaçanik i Vjetër. Të bijtë e tyre, shokë mes vetë, vdiqën tragjikisht pasi u vetëaksidentuan për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me makinë, një natë më parë.
Në veturë me ta u gjend edhe një i katërt që vazhdon të luftojë për jetë në QKUK në Prishtinë.
Flamur Berisha, 20 vjeç, që ishte ngasës i veturës, pronësi e të atit, kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, si pasojë e aksidentit që ndodhi 40 minuta pas mesnatës të së premtes, në magjistralen Kaçanik-Ferizaj.
Dy 17 vjeçarët Enis Ceka dhe Artan Lika kishin arritur të dërgohen në spital të gjallë, por nuk u kishin mbijetuar plagëve të marra nga përplasja me veturë në një grumbull gypash betoni që gjendeshin breg rrugës magjistrale ku ndodhi aksidenti.
Ceka dhe Lika, pak javë më parë kishin kryer maturën.
Gazeta Express të premten gjatë ditës ka qëndruar në Kaçanik të Vjetër. Gjatë kohës sa po përgatiteshin për varrimin e viktimave, që u bë pasdite, familjarët e tyre thanë se nuk kanë ende shumë informacione rreth aksidentit tragjik.
“Janë mytë të tret. Kaq dimë”, tha babai i 20 vjeçarit Flamur Berisha, i cili breg rruge , tek shtëpia e tij, po priste familjarët dhe të afërmit tjerë që po i shkonin për të pame.
“Djem të mirë janë kanë te tre”, i përshkroi shkurt të aksidentuarit, djali i axhës se tij, ndërkohë se po qëndronte afër vendit ku po i hapej varri familjarit të tij.
Për rastin ka njoftuar Policia e Kosovës. Sipas tyre, aksidenti është vetëshkaktuar nga ngasësi i veturës “Opel Astra”, Flamur Berisha, për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë.
“Duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, humb kontrollin mbi automjetin, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur në disa grumbuj dheu dhe gurësh skaj rruge dhe duke u rrokullisur me automjetin, me ç’rast vozitësi dhe tre pasagjerët, sipas mjekëve, kishin pësuar lëndime të rënda e si pasojë, ngasësi i automjetit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse tre pasagjerët janë dërguar në QKUK Prishtinë dhe pas një kohe jemi informuar se dy nga të lënduarit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Policia.
Tutja, PK’ja ka njoftuar edhe për gjendjen shëndetësore të 21 vjeçarit i cili ndodhej bashkë më tre të vdekurit në veturë.
“Ndërsa pasagjeri i tretë është në mjekim intensiv”, thekson njoftimi.
Po ashtu, Policia ka njoftuar se aksidentin janë duket e hetuar Njësitet e trafikut rrugor në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.
Katër të aksidentuarit, në momentin e përplasjes ishin duke shkuar në drejtim të Ferizajt. /M.Gj./GazetaExpress/.