Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngjarjes së kobshme që ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Vraçar të Beogradit, ku një 14-vjeçar ka vrarë me armë zjarri rojën e shkollës “Vladislav Ribnikar” dhe tetë nxënës. Ai po ashtu ka lënë të plagosur rëndë edhe shtatë persona tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat dhe familjet e tyre.
Njëherit ai u ka uruar shërim të shpejtë edhe personave që kanë mbetur të plagosur nga të shtënat.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, shkroi Kurti.