Trajneri i përkohshëm i Kosovës Primoz Gliha, në konferencë për media tha se e njeh mirë vendin tonë pasi këtu e ka përfunduar ushtrinë.
“E njoh mirë Kosovën sepse këtu kam bërë ushtrinë. Kam shumë miq këtu dhe e kam ndjekur rregullisht edhe Kosovën. Për mendimin tim ekipi është shumë i mirë”.
Gliha tha se për të nuk ka ndarje të ndeshjeve në zyrtare apo miqësore.
“Për mua nuk ka ndeshje miqësore, pasi çdo sfidë është e rëndësishme. E them këtë sepse çdo fitore e ngre moralin e ekipit. Ndeshja me Jordaninë duhet ta kërkojmë fitoren dhe të ngremë moralin e ekipit dhe kjo është mënyra e vetme për të ardhur te rezultatet e mira”.
Miqësorja që zhvillohet nesër prej orës 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, kundër Jordanisë është testi i parë për sllovenin i cili është caktuar në krye të shtabit teknik të “Dardanëve” pas shkarkimit të Bernard Challandes.
Pas katër ditësh, më 14 nëntor Kosova e zhvillon ndeshjen e fundit e kampanjes kualifikuese për Kampionatin Botëror “Qatar 2022” kundër Greqisë.