Kosova nuk ka humbur asnjë ndeshje që nga viti 2017 – që nga koha e ndeshjeve për kualifikime në kampionatin botëror.
Humbja e fundit e Kosovës ishte ajo ndaj Islandës me rezultatin 0-2, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër. Që nga ajo kohë, Kosova numëron tetë fitore dhe katër barazime, por asnjë humbje.
Në “BlicInterview me Astrit Gashin”, Bernard Challandes, ka treguar se nuk e kishte menduar asnjëherë që do të kalonte një ecuri kaq pozitive me kombëtaren tonë, shkruan KK, përcjell albinfo.ch.
“Jo, nuk e kam menduar në fillim që mund të luajmë 10 apo 11 ndeshje pa humbje – por isha i sigurt për potencialin që kemi. Çdo trajner ka një pyetje në kokë kur merr drejtimin e ekipeve. Trajneri tregon rrugën që ai do të ndjekë dhe pastaj lojtarët fillojnë rrugëtimin ose nuk vijnë fare. Jam shumë i lumtur, pasi lojtarët pritën diçka nga unë dhe më pas ata dhuruan përgjigje të mirë. Ne menjëherë kemi filluar të luajmë si ekip dhe gjëja më e rëndësishme për mua ishte të krijohej baza”, ka thënë Challandes.
“Krijimi i bazës është krijimi i një organizimi të mirë. Unë nuk jam një trajner që pëlqej të luaj në mbrojtje – por jam një trajner, i cili organizon mirë mbrojtjen dhe kjo nënkupton se të gjithë duhet të kryejnë punën. Jo ,nuk kam ardhur këtu që të them se Kosova është një kombëtare e vogël dhe pastaj të luajë vetëm në mbrojtje dhe të rrezikojë me kundërsulme, jo, jo, jo – assesi”.
“Ne duhet të mbrohemi mirë – por me kualitetin e lojtarëve ne duhet të sulmojmë, ne duhet të mbajmë topin, të kemi posedim, ne duhet të kemi një tranzicion të mirë në mbrojtje dhe në sulm. Kjo ishte rruga që unë kam zgjedhur dhe natyrisht jam pak i surprizuar – pasi ekipi ka mësuar të luajë shumë mirë për një kohë të shkurtër”.