Sulmuesi ferizajas, Betim Haxhimusa tashmë edhe zyrtarisht ka ndarë rrugët me kuq e bardhët pas tre edicionesh, ani pse kontrata zyrtarisht i skadon më 30 qershor, shkruan Gazetasheshi.
Emri i Betim Haxhimusës është lakuar së fundmi në mediat e shkruara se ka finalizuar marrëveshjen me Dritën, klubin rival të Gjilanit.
Ende asgjë nuk është zyrtarizuar, por nëse realizohet një gjë e tillë, do të ndodhte vetëm me pëlqimin e presidentit të kuq e bardhëve Florim Zuka, pasi ky i fundit ka një marrëveshje të pashkruar me presidentin e kaltër e bardhëve, Valon Murselin për të mos shkëmbyer lojtarë me njëri-tjetrin.
Gazetasheshi.com pati raportuar një vit më parë për këtë marrëveshje gojore ndërmjet dy presidentëve në Restaurantin “Vali Ranch” në Gjilan, teksa Zuka kishte marrë nën menaxhim Gjilanin një vit e gjysmë më parë.
Që nga ajo kohë pati shumë zëra për kalime të shumtë të futbollistëve, por asgjë nuk ndodhi, madje shumë prej tyre janë në dijeni të kësaj marrëveshjeje dhe nuk kanë tentuar të ndryshojnë dhomat e zhveshjes që janë ngjitur me njëra-tjetrën.
Në rast se finalizohet kalimi i Haxhimusës te Drita është e sigurt që do t’u hapen rrugë shumë futbollistëve për të kaluara nga njëra skuadër në tjetrën dhe kështu marrëveshja do të thyhej.